Sfidat e qeverisë së re të Kosovës në planin ndërkombëtar

Sfidat e qeverisë së re të Kosovës në planin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u zotua të premten se vendi do të angazhohet me aleatët që procesi i bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtje të sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe tërësisë tokësore të Kosovës.

Ajo i bëri këto komente pas takimit të parë me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, gjatë të cilit siç thuhet në njoftim, u diskutua mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.

Takimi u zhvillua gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, në kuadër të të cilës, zoti Sorensen takoi ndarazi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Për të ecur përpara me Marrëveshjen e Ohrit nevojitet nënshkrimi saj, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq”, thuhet në një njoftim të zyrës së kryeministrit Kurti.

Këto takime ndodhin në një periudhë të rëndësishme, pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, rezultatet e të cilave pritet të kenë ndikim edhe në ritmin e dialogut.

Pesë ditë pas zgjedhjeve të së dielës, Komisioni Qendror po vazhdon procesin e numërimit të votave mes kritikave për vonesa dhe problemeve që u shfaqen në faqen internetit të këtij institucioni gjatë publikimit të rezultateve të partive politike.

Ndërsa vazhdon numërimi i votave vëzhguesit thonë se rezultati i zgjedhjeve ka lënë të hapura shumë mundësi për formimin e qeverisë së re të vendit. Nëse lëvizja Vetëvendosje, e cila ka numrin më të madh të votave, nuk siguron koalicion me ndonjë nga partitë opozitare do ta ketë të vështirë të formojë qeverinë me deputetët e pakicave.

“Ne vërtetë e kemi një fitues në kuptimin e lëvizjes Vetëvendosje si e para por njëkohësisht edhe partitë opozitare bashkërisht janë me numër më të madh, pra kemi dy fitues relativ. Ajo që mendoj që do të ishte më e mira të ndodhte është një qeveri e qëndrueshme e cila do të mund të përballet me sfidat që janë përpara veçanërisht në kontekstin ndërkombëtar”, tha analisti Agon Maliqi tha në një bisedë me Zërin e Amerikës.

Maliqi thekson se qeveria e re duhet të ndjek një rrugë tjetër nga katër vitet e fundit në rrafshin ndërkombëtar.

“Pikë së pari që sinjalizon një lloj dëshire dhe vullneti për të punuar shpejt në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që nuk flet për luftë dhe që nuk merr masa që shihen si destabilizuese nga ana e NATO-s sepse lloji i administratës amerikane që është tani në pushtet por edhe fakti që Kosova nuk i ka punët mirë as me aleatët e saj në Evropë, nuk ja jep Kosovës luksin të bëhet palë që shihet si problematike. Kosovës i duhet një qeveri që e ndërmerr nismën menjëherë për të riparuar me SHBA-të”, tha ai.

EMISIONET