Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Osmani për vizat: Nuk kam pritshmëri, por ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Osmani për vizat: Nuk kam

Në nisje të samitit BE-Ballkani Perëndimor, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se nuk ka pritshmëri të mëdha sot sa i përket heqjes së vizave, megjithatë ajo shprehet se vendi i saj i ka plotësuar të gjitha kriteret.

"Nuk kam pritshmëri të mëdha për samitin e sotëm.

Jam këtu sot për të folur për popullin e Kosovës, sepse ne i përkasim familjes evropiane për të cilën kemi kontribuar prej shekujsh. Ne presim një mesazh të qartë dhe të unifikuar nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Ne sigurisht shpresojmë, megjithatë nuk dua t’i rris pritshmëritë në këtë moment kohor. Sepse ky proces nuk është më në duart tona. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret sa i përket liberalizimit të vizave vite më parë. Ne u jemi përgjigjur të gjitha shqetësimeve të shteteve anëtare dhe tani është koha që shtetet anëtare të mbështesin vërtet këtë proces. Sepse kjo është një drejtësi e madhe ndaj popullit të Kosovës."

Çfarë po ndodh në Bruksel?

Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka nisur Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane po diskutojnë me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.

Më vonë gjatë ditës, zhvillohet edhe takimi i Këshillit Evropian.

Pasi pritet që Ukrainës dhe Moldavisë në samitin e BE-së t’u ndahet statusi i kandidatit, disa liderë kanë bërë thirrje që të mos harrohen vendet e Ballkanit Perëndimorë, të cilat edhe pse janë në faza të ndryshme të integrimit në BE, janë duke ngecur për vite.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë peng i vetos Bullgare.

Në të dyja këto takime pritet të diskutohet për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, për idenë e krijimit të një Bashkësie Politike Evropiane, ndërsa disa liderë kanë paralajmëruar se do ta përmendin në diskutime edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

EMISIONET