Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Borrell: Nuk jemi ku do të duhej të ishim me Ballkanin Perëndimor

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Borrell: Nuk jemi ku do

Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka përfunduar Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane diskutuan me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.

Mësohet se shumë liderë janë shprehur në favor të liberalizimit të vizave dhe presin që kjo çështje të ngrihet në të ardhmen. Ky takim nuk ishte një mbledhje vendimmarrëse.

Më herët, kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, theksoi se në BE ka një atmosferë gatishmërie për të ripërtërirë procesin me Ballkanin Perëndimor.

Michel konfirmoi se prioriteti kryesor i BE-së tani për tani është hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe vazhdimi i kontakteve intensive me Bullgarinë, për të dhënë dritën jeshile për fillimin e procesit, raporton REL.

Mirëpo, shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, tha se është i zhgënjyer me mungesën e progresit në negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për pranim në BE.

“Nuk jemi ku do të duhej të ishim me Ballkanin Perëndimor. Sot ne do duhej të lansonim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim. Ende ka shpresa, nuk e di çfarë mund të bëjë Parlamenti bullgar në orët në vazhdim”, tha Borell.

Ai, gjithashtu, përmendi arritjen e marrëveshjes për energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dy ditë më parë. Ai paralajmëroi se “ndoshta deri në fund të muajit mund të kemi një mbledhje tjetër të nivelit të lartë në kuadër të dialogut”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se samiti BE-Ballkani Perëndimor është një mundësi për të konfirmuar perspektivën e anëtarësimit të rajonit në familjen evropiane.

“Këto vende kanë punuar shumë në këtë drejtim dhe ne do të mundësojmë që kjo (anëtarësimi në BE) të ndodhë”, theksoi kancelari gjerman.

EMISIONET