Reciprociteti për targat/ Dita e pestë: Bllokadat e palëvizura në veri

Reciprociteti për targat/ Dita e pestë: Bllokadat e palëvizura

Dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara për të pestën ditë radhazi.

Edhe në ditën e pestë rrugët që të çojnë në pikëkalimet kufitare në veri të vendit, vazhdojnë të jenë të bllokuara në veri të vendit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për mediet kosovare se “vlerësohet të jetë një situatë e njëjtë me pengesat e ndryshme të vendosura me automjete, mjete të rënda transportuese, zhavorr etj, në lokacione të ndryshme drejt pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak”.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vjet.

Ndonëse asnjë incident i theksuar nuk është regjistuar që nga e hëna, nga autoritetet ndërkombëtare është bërë thirrje për shtensionim të situatës.

Të enjten në mbrëmje ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq vizitoi forcat ushtarake në Rashkë dhe Novi Pazar, që gjendet në kufi me Kosovën, duke thënë se trupat serbe atje ishin në gatishmëri të lartë.

Stefanoviq u shoqërua nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, gjenerali, Millan Mojsilloviq.

Disa punonjës të institucioneve serbe, që veprojnë në Kosovë, kanë konfirmuar për (REL) se ata janë "të detyruar" që përmes ndërrimeve të kujdesen për bllokimin e vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se qytetarët lokalë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak - të cilët kanë bllokuar rrugën pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të masës së reciprocitetit në targa - kanë përforcuar bllokadat me zhavorr.

Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës ka njoftuar se prej 20 shtatorit e deri në përfundim të ditës së mërkurë, më 22 shtator, ka lëshuar 6.375 targa të përkohshme në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar (PPK) dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në tërë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë, mbi 3.000 targa të përkohshme janë lëshuar në të gjitha vendkalimet kufitare Kosovë – Serbi, ndërkaq, numri më i madh i tyre është lëshuar në vendkalimet kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdare.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat 'KS' (Kosovë) ose 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

EMISIONET