Presidentja e KE, Der Leyen: Beogradi të qartësojë pozicionin e saj. Distancimi nga Moska kusht i BE-së
Dy ditë përpara samitit të BE-së ku pritet të vendoset fati i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kërkon të kuptojë qëndrimin e Serbisë.
Në një intervistë për mediet austriake, presidentja e Komisionit tha se distancimi i Beogradit nga Moska është një kusht për të qenë pranë bllokut evropian.
"Ne e duam Serbinë me ne, por për këtë na duhen prova të qarta se vendi ndan vlerat tona, si sundimi i ligjit e demokracia, si dhe duke marrë vendime për të ndalur agresionin rus," tha presidentja.
Të hënën në mbrëmje ndërsa foli për mediet serbe, presidenti Aleksandër Vuçiç tha se priste datën 23 qershorin kur do të mbahet samiti i Brukselit, për të parë arkitekturën evropiane e ardhshme të Ballkanit Perëndimor.
Por megjithatë, Beogradi zyrtar nuk e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, në një kohë kur Brukseli e ka bërë të qartë se shtetet që aspirojnë unionin evropian duhet të kenë politikë të jashtme të përbashkët sa i përket dënimit të Moskës.
Der Leyen theksoi se unioni do të merrte vendimet e shumëpritura për vendet e Ballkanit Perëndimor.
"Shpresoj që më në fund do të arrijmë të përmbushim premtimin tonë dhe të fillojmë negociatat e anëtarësimit. Për shembull Bosnja Hercegovina mund të hyjë menjëherë në negociatat e pranimit sapo të përmbushë 14 pikat kryesore. Ka pasur shumë progres dhe kjo duhet pranuar," tha ajo.