Presidenti/ Burimi: Pozita asnjë favor opozitës! Rama e ka në xhep emrin, arsyeja që po zhvillon procesin

Analisti Genc Burimi është shprehur se pozita nuk po i ofron favore opozitës në zgjedhjen e presidentit të ri, pasi e thotë Kushtetuta që tre raundet e para të jenë konsensuale.

Në një intervistë për RTV Ora me Kostana Morava, Burimi tha se edhe PD kur ka qenë në pushtet ka vendosur president kë ka dashur.  

Genc Burimi: Pozita nuk po i ofron favor një opozitës pasi e thotë Kushtetuta që tre raundet e para do të jenë konsensuale. Edhe po të mos kishte ndodhur kriza në opozitë kishte ura pajtimi sepse sado që  të bëhet në mënyrë konsensuale e kaluara ka treguar se PD kur ka qenë në pushtet ka zgjedhur siç ka dashur. Në këtë moment bëhet fjalë për një oportunitet për kampin e Berishës, të lajë hesapet me grupin kundërshtar brenda PD.

Më tej ai tha se emrin e presidentit Kryeministri Edi Rama e ka në xhep ndërsa shtoi se do të jetë një zgjedhje e mirëmenduar ndërsa theksoi se s’do të krijojë shumë polemika.

Genc Burimi: Mendoj se presidenti do të jetë një personazh i mirë zgjedhur nga ana e Ramës dhe nuk do të krijojë shumë polemika. Por kjo s’do ta pengojë opozitën të bëjë opozitë dhe Ramën të thotë se bën zgjedhjen e duhur. Rama e ka në xhep presidentin, ajo që i duhet Ramës është që thjesht përpara ndërkombëtarëve të tregoj se në Shqipëri zgjedhja presidenciale shkoi pa tensione, duke spekuluar se PD është në drejtimin e Alibeajt. Dhe duket se Rama po ia arrin qëllimit.

EMISIONET