"Prapavija e paqartë e BE-së"/ Weber: E rrezikshme fjala "kompromis" nga ndërkombëtarët, u përdor nga Vuçiçi për "shkëmbimin e territoreve"

Mosdhënia e detajeve nga takimet e ndërmjetësuesve perëndimorë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, janë sinjal se ende ekziston bllokada në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

"Prapavija e paqartë e BE-së"/ Weber: E rrezikshme fjala

Kështu thotë Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, në një intervistë me Bekim Bislimin.

Të premten, më 20 janar, Prishtinën dhe Beogradin e ka vizituar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Francës, Emmanuel Bonne, i dërguari i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe këshilltari i Qeverisë italiane, Francesco Talo.

Temë e diskutimeve ishte propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin ndërmjetësuesit nga Perëndimi theksuan se kanë pritur nga Prishtina më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi. Ndërkaq në Beograd, sipas tyre, kanë vënë re një “qasje të përgjegjshme dhe gatishmëri për vendime të vështira”.

Weber konsideron që problemi në këto bisedime është se ato po mbahen prapa dyerve të mbyllura, ndërkohë që “edhe më tej ka rezistencë në tentimin për të arritur përparim lidhur me propozimin e BE-së ose të ashtuquajturit propozim gjermano-francez”.

“Përderisa është e paqartë dhe jopublike prapavija e kësaj qasjeje, është vështirë të vlerësohet se a ekziston vërtetë ndonjë dinamikë, ndonjë plan që shërbehet me disa afate që janë me kontekst të caktuar dhe të rëndësishëm ndërkombëtar apo e gjithë kjo është vetëm përpjekje për t’i ofruar palët, në mënyrë që të arrihet deri te një përparim i shpejtë”, thotë Weber.

Ai gjithashtu shpreh mendimin se shprehja “kompromis”, që përdoret nga ana e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, në kontekstin e mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është “tejet e rrezikshme”.

“Kjo ka qenë pika kryesore e Vuçiqit dhe e regjimit serb në bisedimet rreth propozimit për shkëmbimin e territoreve”.

Ai nuk i përjashton krizat eventuale në veri të Kosovës, përderisa, siç thotë ai, nuk publikohen marrëveshjet dhe të mos u lihet palëve mundësia që t’i interpretojnë ndryshe-ndryshe.

Sinjale se ende ekziston bllokada

Radio Evropa e Lirë: Zoti Weber, pas takimit të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë me kryeministrin e Kosovës, i dërguari i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak ka thënë se kanë pritur më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Çfarë sinjali është ky?

Bodo Weber: Kam frikë se ky është një sinjal i qartë, marrë parasysh që zoti Lajçak dhe kolegët e tij nuk deshën të japin ndonjë detaj nga këto bisedime. Por, ajo fjali e vetme dhe negative, kam frikë se është sinjal i qartë se edhe më tej ekziston bllokada, gjegjësisht, se edhe më tej ka rezistencë në tentimin për të arritur përparim lidhur me propozimin e BE-së ose të ashtuquajturit propozim gjermano-francez.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni tash se ekziston gatishmëria në Prishtinë, por edhe në Beograd, lidhur me propozimin?

Bodo Weber: Më duket që i gjithë problemi në këto bisedime është se ato po mbahen prapa dyerve të mbyllura. Ndërkohë kanë rrjedhur disa të dhëna elementare për vet propozimin, ndonëse jo të gjitha detajet. Ndërkaq, të dyja palët, Beogradi dhe Prishtina, kanë theksuar vetëm pozicionet e përgjithshme fillestare lidhur me propozimin.

Kemi parë që pas takimit të krizës, në fund të vitit të kaluar, ku përkohësisht u zgjidh çështja dhe kriza rreth targave, ekzistonte shpresa që një takim i Kurtit dhe Vuçiçit të ndodhte shpejt në Bruksel, si një lloj i vazhdimit ose fillimit të bisedimeve rreth propozimit evropian. Por, kjo deri më tash nuk ka ndodhur. Kështu që, më duket se, më shumë janë duke u shpërfaqur bllokada dhe tensionet se sa një përparim lidhur me çështjen e propozimit.

Radio Evropa e Lirë: Më 19 janar, (presidenti serb Aleksandar) Vuçiq ka thënë se takimi (me ndërmjetësuesit ndërkombëtarë) do të jetë një nga më të rëndësishmit në vitet e fundit dhe se shpreson se do të ketë përparim. Gjithashtu, ai ka thënë se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Prishtinën, në mënyrë që të arrihet deri te një zgjidhje me kompromis. A mendoni se ky është një qëndrim i zbutur i Serbisë apo bëhet fjalë për lojë fjalësh?

Bodo Weber: Jo nuk mendoj. Siç duket, ky është një ‘spin’ i zakonshëm i Vuçiçit. Nuk shoh në këto deklarata ose paralajmërime se Beogradi e ka zbutur qëndrimin. Ndërkaq, edhe tensionet e reja lidhur me targat (KM) i ofrojnë shans Beogradit për të zgjatur procesin dhe të shmangin presionin e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë për t’u arritur ndonjë përparim ose ndonjë takim ndërmjet Vuçiqit dhe Kurtit për propozimin evropian.

Prapavija e paqartë e propozimit të BE-së

Radio Evropa e Lirë: A e kanë Kosova dhe Serbia “luksin” që ta refuzojnë këtë plan?

Bodo Weber: Kjo është çështje e vlerësimit se a është ky propozim vërtetë ideal. E kam fjalën, për shkak shumëçka që qëndron pas propozimit, përfshirë edhe detajet, nuk janë sqaruar nga ana e aktorëve ndërkombëtarë.

Kështu që, për shembull, deri më tash asnjëherë nuk është sqaruar nëse po shkohet drejt një marrëveshjeje, e cila është më e ultë se sa ajo që, të paktën, e kemi zyrtarisht. Për t’iu qasur [Serbia] Bashkimit Evropian, politika e bashkësisë ndërkombëtare, tash e gjysmë dekade, është bisedimi për marrëveshjen përfundimtare. Prandaj, vërtetë shtrohet pyetja, pse po shkohet drejt një marrëveshje të ndërmjetme? Pse po tentohet të arrihet ajo? Prapa kësaj mbetet e hapur çështja se a është bazë e mirë kjo për ndonjë marrëveshje. Çështja e afatit kohor, duket se sërish është e paqartë.

Të gjithë e mbajmë mend se deri para disa muajve, është përmendur një afat, deri në shkurt ose deri në prill. Atëherë, përfaqësuesit ndërkombëtarë e sulmuan Lajçakun dhe në njëfarë mënyre i bënë relative ato afate me njëfarë përpjekje për insistim që të arrihet një marrëveshje gjatë këtij viti.

Kështu që, përderisa është e paqartë dhe jopublike prapavija e kësaj qasjeje, është vështirë të vlerësohet se a ekziston vërtetë ndonjë dinamikë, ndonjë plan që shërbehet me disa afate që janë me kontekst të caktuar dhe të rëndësishëm ndërkombëtar apo e gjithë kjo është vetëm përpjekje për t’i ofruar palët, në mënyrë që të arrihet deri te një përparim i shpejtë.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, ky propozim, tash është i vetmi në tavolinë. Cilat do të ishin pasojat për Kosovën dhe Serbinë në rast se e refuzojnë këtë propozim?

Bodo Weber: Kjo është e vështirë të thuhet. Por, të gjithë e mbajmë mend se kemi pasur propozime të ndryshme në tavolinë, gjatë mjaft viteve të fundit, kur dialogu gjatë një periudhe ndodhej në krizë ose në krizë të thellë, apo në rrugë krejtësisht pa krye - sikurse në atë vit kur e kishim propozimin tërësisht të gabuar dhe të rrezikshëm për shkëmbimin e territoreve, i cili paraqiste të kundërtën e asaj që ishte esenca e dialogut që nga fillimi.

Por, megjithatë, përkundër gjithë këtyre rënieve, krizës afatgjate dhe për shumë vite, si dhe bllokimit të dialogut, nuk ka ndonjë pasojë negative ndaj Serbisë dhe Kosovës. Madje, Serbia përparoi në procesin e saj të negociatave për anëtarësim [në BE], gjë që vërtetë nuk është në frymën e kapitullit 35 [normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën] dhe nuk mund të argumentohet me asnjë shkronjë. Por, tash e kemi situatën tjetër, pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Ka më shumë presion ndaj Beogradit nga Bashkimi Evropian, sikurse po ndodh ditëve të fundit kur nga Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian nuk i bëjnë lëshime Serbisë në rrugën e saj drejt integrimit, në qoftë se nuk pa përparim, gjegjësisht nëse është shënuar regres. Kështu që, mund të paramendohet se në qoftë se nuk do të arrihet përparim në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të ketë ndikim negativ në negociatat për anëtarësim të Serbisë me BE-në.

Megjithatë, mund të ketë edhe kundërargumente, sepse Bashkimi Evropian në të kaluarën ka hezituar të ndërmarrë veprime të caktuara. Mundësia për të ngrirë negociatat për anëtarësim të Serbisë – në rast se nuk ka përparim në dialog – mund të funksionojë vetëm në qoftë se qartësisht mund të identifikohet Serbia si përgjegjësja kryesore për mossukses ose ngecje në bisedime.

Çfarë fshihet prapa shprehjes “kompromis”?

Radio Evropa e Lirë: Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se të dy qeveritë (të Kosovës dhe Serbisë) duhet të jenë në gjendje të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe se kompromiset janë të mundshme. A e shini ju mundësinë e kompromiseve dhe çfarë nënkuptojnë ato?

Bodo Weber: Pikërisht kjo është çështja. Është mjaft e rrezikshme kjo shprehje “kompromis”, që përdoret nga ana e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë. Unë mendoj se kjo ka qenë pika kryesore e Vuçiçit dhe e regjimit serb në bisedimet rreth propozimit për shkëmbimin e territoreve. Do të thotë, në një mënyrë, ky është tentim për të devijuar nga esenca e dialogut që nga bisedimet e para.

Që nga fillimi i dialogut politik në vitin 2012 dhe 2013, ka qenë e qartë që ky dialog duhet të përfundojë me pranimin e pavarësisë së Kosovës dhe në fund të fundit njohjen formale dhe juridike të kësaj pavarësie në marrëdhëniet bilaterale nga ana e Serbisë. Do të thotë, fjala apo shprehja “kompromis”, në njëfarë mënyre është helmuar. Kështu që, kur Vuçiqi e përdor këtë shprehje, ai e përdor në kuptimin e përpjekjes për të ndryshuar drejtimin e dialogut dhe kornizës dhe qëllimeve të përgjithshme.

Prandaj, kur përfaqësuesi amerikan Chollet e përdorë këtë shprehje, mbetet e paqartë nëse ai po mendon për të njëjtin kuptim apo për diçka krejtësisht tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, në rast se Kurti dhe Vuçiq nuk gjejnë gjuhë të përbashkët, si do të reflektohet kjo ndaj Kosovës dhe Serbisë?

Bodo Weber: Kjo do të thotë vazhdim i tensioneve në veri. Në anën tjetër, për Vuçiqin do të ishte e mirëseardhur që të largojë presionin e Perëndimit. Besoj që kjo do të mbante gjallë tensionet në nivelin lokal dhe rajonal, e sidomos në veri të Kosovës. Në anën tjetër, kjo do të ishte në dobi të regjimit të Beograd që të vazhdojë të mirëmbajë regjimin autokrat, si dhe manovrimin dhe balancimin e vazhdueshëm ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

Sinjalet drejt Prishtinës, të minuara

Radio Evropa e Lirë: Në Prishtinë nuk ka lëvizje as për çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përkundër thirrjeve këmbëngulëse të bashkësisë ndërkombëtare...

Bodo Weber: Po. Mendoj se përmes çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të shtrohet pyetja sesa është e përshtatshme marrëveshje e ndërmjetme që synohet përmes propozimit të Francës dhe Gjermanisë. Zoti Chollet, në një intervistë, pak ditë pas takimit në Beograd, insistonte ose siguronte Kosovën se Asociacioni nuk do të jetë diçka e ngjashme me Republikën Sërpska.

Megjithatë, fatkeqësisht, duhet të thuhet që e njëjta administratë amerikane - në të cilën zoti Chollet ka një rol të rëndësishëm e po ashtu edhe zoti Escobar - në skajin tjetër të Ballkanit Perëndimor, pra në Bosnje e Hercegovinë [BeH], gjatë veprimit politik në dy vitet e fundit, kanë ndikuar më shumë në trimërimin e disa koncepteve dhe forcave politike secesioniste, qoftë në anën e Partisë Popullore Serbe në Republikën Sërpska, por edhe në anën e HDZ në BeH, ku [kryetari i HDZ në BeH, Dragan] Çoviq ëndërron për entitetin e tretë.

Kjo vërtetë minon sinjalet që dërgohen drejt Prishtinës se SHBA-ja dhe BE-ja do të jenë garantuese se çfarëdo zgjidhje për veriun e Kosovës nuk do të shndërrohet më vonë, në të ardhmen, në ndonjë lloj autonomie të huaj, në ndonjë krijesë që do të shkojë më pas drejt ndarjes.

Krizat si pasojë e mospublikimit të marrëveshjeve

Radio Evropa e Lirë: Ndonëse u është bërë thirrje të dyja palëve që të mos ndërmarrin akte provokuese ose diçka që do të dëmtonte tash kthimin në tavolinën e bisedimeve, Qeveria e Kosovës sërish e ka ndaluar lëvizjen e automjeteve me targa KM. Këtë vendim e ka kritikuar edhe Chollet. Si e shihni ju këtë veprim të Qeverisë?

Bodo Weber: Vështirë të thuhet. Mendoj se kjo sërish tregon se fshehtësia e tërësishme, me të cilën po zhvillohen negociatat dhe bisedimet në Bruksel në dy vjetët e fundit, mbase nuk është zgjidhja më e mirë. Dua të them së marrëveshja e arritur në fund të futit të kaluar te [shefi i diplomacisë së BE-së, Josep] Borrell, ndërmjet presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti, është paralajmëruar si marrëveshje që e zgjidhë çështjen e targave, gjegjësisht se është zgjidhje kalimtare derisa çështja e targave të zgjidhet në esencë, në kuadër të një marrëveshjeje përfundimtare.

Tash i kemi dy lloj interpretimesh dhe tensione të serishme nga ana e Beogradit dhe Prishtinës. Do të ishte shumë më mirë që publikohet ajo marrëveshje e arritur se sa që përfaqësuesit e Uashingtonit apo të Komisionit Evropian të japin ndonjë deklaratë publike se vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk është në harmoni me marrëveshjen.

Pra, po të publikohej ajo marrëveshje e arritur në Bruksel, para disa javësh, jam i sigurt që nuk do të ndodhnin veprimet e tilla, ku të dyja palët mund të thonë ndryshe. Opinioni do të mund të gjykonte pretendimet ose deklaratat e tilla, si dhe a është shkelje e asaj marrëveshjeje ajo që ndërmerr njëra ose pala tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, herën e kaluar, çështja e targave e krijoi krizën në veri të Kosovës. A ekziston rreziku që kriza të përsëritet dhe kujt i konvenon situata e tensionuar në veri?

Bodo Weber: Natyrisht që kriza përsëritet dhe kjo tregon se të gjitha çështjet nuk janë zgjidhur. Ndërkaq, se kujt i konvenon situata e tensionuar, kjo është çështje për të cilën përgjigja nuk i jepet opinionit.

Siç thashë, ekziston procesi i bisedimeve rreth çështjeve më të vogla dhe temave më të mëdha në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përderisa të mos publikohet se për çfarë është arritur pajtimi, praktikisht asnjë herë nuk mund të vlerësohet se çfarë në të vërtetë po ndodh dhe nuk mund të vlerësohet se kush është përgjegjës dhe të kujt janë motivet, pra, se a i konvenon Beogradit më shumë apo Prishtinës.

Mendoj se nëse shikohet në mënyrë të përgjithshme, nga kuadri i përgjithshëm, me të cilin Qeveria e Kurtit erdhi në pushtet, pak a shumë në mënyrë të hapur ka demonstruar se nuk e ka të rëndësishëm dialogun. Ndërkaq, në anën tjetër, Serbia dhe regjimi në Beograd, tashmë gjysmë dekade po përpiqet të shmangë atë që e ka pasur të qartë - qysh në vitin 2013 kur e nënshkruan marrëveshjen e prillit - se ku çon dialogu politik, pra konfirmimin dhe pranimin e pavarësisë së Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërshtetërore, si marrëdhënie bilaterale.

Derisa marrëveshjet e papublikuara ofrojnë mundësinë që vazhdimisht të potencohen tensionet, është vështirë të vlerësohet se të kujt janë motivet dominuese dhe kush është ai që e përshkallëzoi situatën dhe nuk e mbështeti marrëveshjen.

EMISIONET