Policia konfirmon heqjen e barrikadave në veri. Petkoviq: Ishim në prag të konfliktit serioz

Policia konfirmon heqjen e barrikadave në veri. Petkoviq: Ishim në

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se janë larguar të gjitha barrikadat në veri të Kosovës.

Sipas tij, situata është aktualisht e qetë.

Ndërkohë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se barrikadat e krijuara nga serbët në veri të Kosovës për të bllokuar pikat kufitare “nuk kanë qenë veprime, por reagime ndaj një vendimi të njëanshëm të Prishtinës”.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media në ndërtesën e Qeverisë në Beograd, Rakiq së bashku me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Peter Petkoviq, deklaruan se në Kosovë janë shmangur konflikte në shkallë të gjerë falë, siç thanë ata, “politikës së mençur diplomatike të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq”.

Ata kanë shtuar se përgjegjësinë e vetme për ngjarjet në veri të Kosovës, në mbrëmjen e 31 korrikut, e ka kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas Petkoviqit, “dëshironte të shkaktonte konflikte në përmasa të mëdha”.

“A e kuptoni që mbrëmë ishim në prag të konflikteve serioze? Ishin mbi 1.000 pjesëtarë të njësive speciale të Kosovës të armatosur deri në dhëmbë dhe plani i tyre ishte të pushtonin popullin që do të mbronin pragun e tyre”, ka thënë Petkoviq.

Serbët nga Kosova vendosën bllokada në pikat kufitare më 31 korrik, një ditë para zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë dhe ndërrimin e targave të Serbisë.

Pas ndërhyrjes diplomatike të Uashingtonit, Qeveria e Kosovës bëri të ditur për shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi në momentin që serbët heqin barrikadat.

EMISIONET