Plani franko-gjerman, Vuçiç i drejtohet kombit: Ma përsëriten tre herë, "do të përballeni me këto 3 pasoja nëse refuzoni"
Plani franko-gjerman, i cili është bërë plan i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është kornizë e re negociuese për Serbinë, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. Ai deklaroi se diplomatët e huaj i kanë thënë se nëse nuk e pranon planin franko-gjerman, Serbia do të përballet me ndalimin e integrimit evropian, ndalimin e investimeve dhe masat gjithëpërfshirëse në kuptimin politik dhe ekonomik.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka theksuar sonte në fjalimin e tij para qytetarëve se ndryshimi i rrethanave gjeopolitike ka kontribuar në një qasje më të ashpër të vendeve perëndimore ndaj Serbisë për çështjen e Kosovës.
Ai ka deklaruar se pesëshja e diplomatëve i kanë thënë se duhet ta pranojnë planin franko-gjerman sepse në të kundërtën do të ndërpritet procesi i integrimeve evropiane.
"Erdhën pesë, përfaqësues të Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Në fjalinë e dytë që më është komunikuar thuhej se “duhet ta pranoni këtë plan dhe nëse nuk e pranoni, sepse ne besojmë se duhet pranuar de-facto, do të përballeni, me ndërprerje të procesit të integrimit evropian, ndalimin dhe tërheqjen e investimeve dhe masa gjithëpërfshirëse në kuptimin politik dhe ekonomik që do të dëmtojnë Serbinë".
Më është përsëritur tri herë. Versionin e parë të gjithë e kemi parë ditëve të fundit, i cili nuk ndryshon shumë nga versioni i dytë që kemi parë në media të ndryshme të të ashtuquajturit plan franko-gjerman, i cili nuk është më plan franko-gjerman, por shumë më tepër se kaq”, tha Vuçiç në Presidencë.
Ai thotë se askush nuk ka dashur të flasë për kontekstin dhe rrethanat dhe se me çfarë po përballet Serbia.
Por Vuçiç shton se ai ka besuar gjithmonë se kompromisi është zgjidhja më e mirë.
"Gjithmonë kam besuar se konflikti i ngrirë është zgjidhja më e keqe, gjithmonë kam besuar se kompromisi është zgjidhja më e mirë. Ne kemi nevojë për paqe me shqiptarët dhe për një qasje të përgjegjshme".