Europoli zbërthen SKY ECC në Kosovë/ Goditet rrjeti i dr*gës, arrestohen pesë persona

Pesë persona janë arrestuar në Kosovë nën dyshimin për përfshirje në një rrjet të krimit të organizuar që dyshohet se ka trafikuar drogë në disa vende evropiane dhe ka pastruar miliona euro të përfituara nga aktivitetet kriminale.
Arrestimet u kryen të martën në kuadër të operacionit ndërkombëtar “White Star”, pas një hetimi trevjeçar të mbështetur nga Europoli - agjencisë së zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian - dhe autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës.
Sipas Europolit, hetimi u ndërtua kryesisht mbi analizën e komunikimeve të shkëmbyera në platformën e koduar SKY ECC, e përdorur gjerësisht nga grupet kriminale në Evropë.
Mesazhet e dekriptuara u mundësuan hetuesve të identifikonin anëtarët kryesorë të organizatës, të gjurmonin rrjedhat financiare dhe të zbulonin mënyrën e funksionimit të rrjetit kriminal.
Në një komunikatë të përbashkët, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës thanë se aksioni u zhvillua në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, me urdhër të Gjykatës Themelore.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan gjashtë armë, 239 fishekë, rreth 9.7 gramë kokainë, mbi 35 gramë fara të marihuanës, 25 telefona mobilë, 10 kompjuterë, 10 automjete, një motoçikletë, 16 orë dore dhe 7.595 euro para të gatshme.
Sipas Europolit, grupi kriminal operonte nga Kosova, ndërsa anëtarët e tij koordinonin trafikimin ndërkombëtar të drogës dhe menaxhonin pastrimin e fitimeve të paligjshme në disa shtete evropiane.
Europoli tha se që nga fillimi i hetimit janë hetuar 42 persona, janë kryer 76 kontrolle dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë të vlerësuar prej rreth 80 milionë eurosh.
Operacioni “White Star” është ndër rastet e fundit në rajon që mbështetet në të dhënat e siguruara nga platforma SKY ECC, komunikimet e së cilës u dekriptuan nga autoritetet evropiane në vitin 2021.
Materialet e përfituara nga kjo platformë kanë nxitur qindra hetime për trafik droge, pastrim parash dhe korrupsion në disa vende evropiane.
Edhe në Shqipëri, të dhënat e SKY ECC kanë shërbyer si bazë për një sërë operacionesh të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke çuar në arrestimin ose hetimin e figurave të njohura të botës së krimit, zyrtarëve publikë, punonjësve të policisë dhe personave të tjerë të dyshuar për lidhje me grupet kriminale.
Europoli tha se operacioni u zhvillua në kuadër të Task Forcës Operative LIMIT, e cila synon grupet kriminale që kanë përdorur komunikime të koduara për të koordinuar aktivitetet e tyre, ndërsa një ekspert i agjencisë ishte i pranishëm në Kosovë gjatë ditës së aksionit për të mbështetur shkëmbimin e informacionit në kohë reale./REL



