Pas më shumë se 4 muaj nga tragjedia në Tetovë mbërrin ekspertiza gjermane për zjarrin me 14 viktima, pritet përkthimi

Pas më shumë se 4 muaj nga tragjedia në Tetovë mbërrin

Prokurorët që po hetojnë rastin e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona, ngjarje e ndodhur para më shumë se 4 muaj më parë, kanë marrë raportin nga ekspertët gjermanë.

 Kjo ekspertizë është kërkuar përmes asistencës juridike ndërkombëtare. 

Dokumenti i marrë tani pret të përkthehet dhe më pas mund të analizohet dhe të merret një vendim. Për momentin ndaj askujt nuk është hapur asnjë hetim.

Raporti mbërriti të premten ndërsa sot iu dha një përkthyesi gjyqësor.

“Pasi të përkthehen, gjetjet do të analizohen në mënyrë të detajuar në korrelacion me provat e tjera të mbledhura në këtë rast, pas së cilës do të merret vendimi i prokurorit publik”, thonë nga Prokuroria.

Sipas informacioneve të televizionit Alsat, raporti ka vetëm shtatë faqe, por përkthimi nuk do të jetë gati brenda një dite.

Për shkak të terminologjisë së ekspertëve të mjekësisë ligjore, mund të zgjasë deri në tre ditë. Më pas, pesë prokurorët publikë që punojnë në parahetim do t’i paraqesin të gjitha provat para një komisioni të posaçëm në Prokurori.

Bëhet fjalë për katër prokurorë shtesë nga Prokuroria e Lartë. A do të hapet procedura hetimore për zjarrin do të vendoset nga të nëntit.

Deri më tani, raporti i krim-teknikës së MPB-së ka treguar se zjarri është shkaktuar nga nxehja e kabllos vazhduese.

Nga zjarri natën e 8 shtatorit humbën jetën 14 persona, 12 prej të cilëve ishin pacientë të shtruar me Covid 19.

EMISIONET