Pamje të shëmtuara nga Peja

Pamje të shëmtuara nga Peja

Fakti që nxënësit e komuniteteve pakicë vijnë për të përcjellë një aktivitet si "Festa e Abetares", tregon për kureshtjen e tyre të shëndoshë. Autoritetet arsimore apo politike mund të japin arsyetime të ndryshme për veçimin fizik të këtyre nxënësve, por ato s'pinë ujë. Autoritetet duhet të kujdesen që këso shëmtish të mos ndodhin më.

U shënua në Pejë "Festa e Abetares". U paralajmërua si festë për nxënësit nga "të gjitha viset shqiptare". Festa u quajt madhështore. U celebrua patriotizmi shqiptar, rënia e mureve ndarëse mes Kosovës e Shqipërisë dhe ndërtimi i shtigjeve të bashkëpunimit. Ministrja e Arsimit e Kosovës uroi festën, po ashtu edhe kryetari i Pejës, ndërsa një drejtor arsimi i një bashkie në Shqipëri tha se "këta fëmijë janë liderët e së ardhmes të cilët mund të bëjnë realitet ëndrrën shqiptare për bashkim kombëtar". Një prognozë modeste!

Gjithë ceremonia në Pejë la një shije të hidhur për shkak se nxënësit e komuniteteve pakicë ngjarjen e shikuan nga tribuna, duke u lënë anash nga organizatorët. Ka arsyetime të ndryshme pse ndodhi kjo. Një mësuese thotë se kjo paskësh qenë "dëshirë" e nxënësve (vështirë e besueshme). Drejtori i shkollës në Pejë tha se nxënësit e komuniteteve nuk i takojnë klasës së parë dhe erdhën vetëm për ta parë programin. Edhe nëse kjo është e vërtetë, është dashur që gjatë një feste të tillë pedagogët të sillen si pedagogë dhe të kenë qasje inkluzive dhe jo përjashtuese ndaj nxënësve. Nuk është rregull i hekurt që në këtë festë të marrin pjesë vetëm nxënësit e klasës së parë. Fakti që nxënësit e komuniteteve pakicë vijnë për të përcjellë një aktivitet të tillë, tregon për kureshtjen e tyre të shëndoshë. Autoritetet arsimore apo politike mund të japin arsyetime të ndryshme, por ekziston vetëm një emër për skandalin në Pejë: turp! Dhe do të ishte mirë nëse autoritetet përkatëse nxjerrin mësime nga kjo ngjarje e shëmtuar.

Nuk është hera e parë që ndodhin këso skandalesh. Në fillim të gushtit 2020 aktivisti për të drejtat e njeriut, Shkëlzen Gashi, zbuloi se në pllakën që përkujton viktimat e masakrës serbe në mars të vitit 1999 në një treg në Mitrovicë, mungon emri i Elizabeta Hasanit. Faji i saj? Ishte rome. Vajzë e një komuniteti të shtypur e të margjinalizuar. Pjesëtarët e këtij komuniteti për serbët janë “cigani”, për shqiptarët e Kosovës “magjupë”. Protestat publike kundër këtij veprimi në Mitrovicë patën efekt. Nga mesi i gushtit 2020 komuna e Mitrovicës shtoi emrin e vajzës rome në pllakën përkujtimore të masakrës së 1999 të kryer nga forcat serbe. Nëse edhe në Pejë nxirren mësimet e duhura nga skandali i ndodhur, atëherë kjo tregon për një shkallë pjekurie të shoqërisë kosovare.

Ndonëse lufta kundër marrëzive nuk ka të bëjë vetëm me raportet mes komuniteteve, mes shumicës dhe pakicave apo anasjelltas. Ditë më parë një tifoz pejan mendoi se po i fyente tifozët e Trepçës duke i "përshëndetur" ata me tre gishta, një simbol klero-nacionalist serb. Krejt kjo dalldi emocionale ndodhi gjatë një ndeshjeje basketbollistike. Lufta kundër dukurive të tilla mbetet një betejë e përditshme./KOHA DITORE/

EMISIONET