Sulmohet me armë zjarri njësia policore në Liqenin e Ujmanit në Veri të Kosovës
Njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit Zubin Potok është sulmuar me armë zjarri ndërsa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit.
Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri, informoi policia. Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, deklaron se grupet ilegale serbe "të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe" po bëjnë përpjekje maksimale të pengojnë apo ndalojnë të kryejnë detyrën autoritetet e Kosovës.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës Albin Kurti kujtoi se sulmi nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit tonë ndodh vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës.
Çfarë ndodhi sot dhe reagimet
Ora 22:55 Sulmi në Veri të Kosovës, EULEX forcon patrullimet
Ora 17:20 Kurti reagon për sulmin në Ujman: Bandat kriminale janë barrikaduar kundër policisë së Kosovës
Ora 14:03 Sulmohet me armë zjarri njësia policore në Liqenin e Ujmanit në Veri të Kosovës
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok është sulmuar me armë zjarri ndërsa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit
“Sot, më 06.08.2022 rreth orës 11:25, njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok, derisa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit është sulmuar me armë zjarri”, thuhet në njoftim, raporton Ora News.
Njësia policore ka njoftuar se të shtënat me armë kanë goditur afër barkës së policisë.
“Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë”.
Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Në asistencë të njësisë policore ka shkuar Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare.
Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.
Vetëm në prill të këtij viti janë regjistruar të paktën gjashtë sulme ndaj këtij institucioni.