"Oferta e paqes", Pollo: Perëndimi po ushtron presion ndaj Vuçiç për ta orientuar drejt marrëveshjes
Plani franko-gjerman, i cili është bërë plan i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është kornizë e re negociuese për Serbinë, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, duke shtuar se diplomatët e huaj i kanë thënë se nëse nuk e pranon planin franko-gjerman, Serbia do të përballet me ndalimin e integrimit evropian, ndalimin e investimeve dhe masat gjithëpërfshirëse në kuptimin politik dhe ekonomik
Ish-deputeti Genc Pollo thotë se Perëndimi po ushtron presion ndaj Serbisë për ta çuar drejt një marrëveshje finale me Kosovën të cilën e ka refuzuar në vijimësi.
Pollo: Është një trysni që Perëndimi e ushtron për të detyruar të vijë në një marrëveshje që Beogradi nuk ka dashur ta bëjë dhe para Vuçiç. Mënyra si Vuçiç e ka konsoliduar pushtetin e tij ka pasur synim mbajtjen e Kosovës si një "patate të nxehtë". Gjithë ngrehina politike e Vuçiç është në antipod me njohjen dhe respektimin e Kosovës si një fqinj më vete i pavarur dhe sovran.
I ftuar në Rtv Ora, Pollo thotë se Vuçiç dhe Rama janë të ngjashëm në mënyrën e qeverisjes por i ndan qasja ndaj Rusisë.
Pollo: Edi Rama dhe Vuçiç në mënyrën e qeverisjes së tyre dhe konsolidimit të pushtetit autoritarist janë të ngjashëm. Por duke qenë se Vuçiç refuzon sanksionet ndaj Rusisë ai është tabela e parë e qitjes dhe Rama fshihet pas tij. Por për demokracinë dhe shtetin ligjor të gjithë kritikat që meriton Serbia fatkeqësisht i meriton dhe vendi ynë.
Duke komentuar vizitën e presidentes Osmani në Vatikan, ai tha se kjo vizitë mund të jetë një pikënisje për një rishqyrtim të pozicionit të Vatikanit.