"Nuk mund të fle, dëgjoj britma fëmijësh dhe njerëz që mbyten", i mbijetuari i aksidentit tragjik në Bullgari kthehet në Preshevë

"Nuk mund të fle, dëgjoj britma fëmijësh dhe

Lulzim Sulejmani, i riu nga Presheva i cili së bashku me të fejuarën e tij ishte mes shtatë të mbijetuarve  nga aksidenti tragjik në Bullgari, ku humbën jetën të paktën 46 persona, ka mbërritur dje në Serbi i shoqëruar nga ambasadori serb në Bullgari Zeljko Jovic.

Ai do të vazhdojë trajtimin spitalor në Qendrën Shëndetësore të Vranjës.

Drejtori i kësaj qendre deklaroi se pacienti është vendosur në repartin e kirurgjisë.

"Lulzim Sulejmani është në gjendje të mirë të përgjithshme, nën mbikëqyrje mjekësore. Ai pritet  që së shpejti të lirohet nga spitali për trajtim në shtëpi"-tha doktori.

Sulejmani ka risjellë momentin e tmerrshëm kur autobusi i agjencisë  "Besa Trans" nga Maqedonia e Veriut, me të cilin po kthehej nga Stambolli me të fejuarën e tij, ka marrë flakë.

"Nuk mund të fle, sepse kur më zë gjumi, dëgjoj fëmijë që bërtasin, njerëz që bërtasin dhe mbyten nga tymi"-thotë Sulejmani.

Ai kujton se si mori një çekiç, theu dritaren dhe u hodh në tokë.

Më pas thirri të fejuarën që gjithashtu u hodh nga dritarja e thyer dhe u rrëzua pranë tij, duke lënduar gjunjët.

Pas saj edhe pesë pasagjerë të tjerë u hodhën jashtë. 

Zjarri shpërtheu dhe u përhap shumë shpejt. 

"Autobusi goditi trafikndarësen, u dëgjua përplasja dhe menjëherë zjarri. Tymi u përhap shumë shpejt"-thotë ai.

Ai falënderon stafin mjekësor në Qendrën Shtëndetësore në Vranjë, në të cilën siç thotë ai ka gjithçka që i nevojitet dhe të gjithë kujdesen për të. 

Mirënjohje shprehu dhe për Ambasadorin serb në Bullgari. 

Sipas tij, Ambasadori e ka vizituar dy herë dhe “është njeri shumë i mirë”.

EMISIONET