Nuk ka negociata/ Presidenti i Këshillit Evropian: S'ka zgjidhje në Maqedoninë e Veriut
Integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është një nga prioritetet kryesore të Këshillit Evropian.
Kështu është shprehur presidenti i këtij institucioni, Charles Michel në paraqitjen e konkluzioneve të samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimore të mbajtur në 23 dhe 24 qershor.
Megjithatë as vizita e tij të martën në Shkup nuk ka zgjidhur situatën e tensionuar mes palëve politike për t’i dhënë fund njëherë e mirë kontestit të Sofjes përmes propozimit të presidencës franceze BE-së.
"Dje dhe sot, isha në Maqedoninë e Veriut për t’iu shpjeguar kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Do të doja të falënderoja presidencën franceze për përpjekjet e mëdha për të zgjidhur kontestin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për ta çuar hapjen e negociatave përpara për Tiranën dhe Shkupin me shpejtësi. Parlamenti bullgar hoqi veton bullgare," tha ai.
Maqedonia e Veriut do të duhet të pranonte një zgjidhje konsensuale të prezantuar nga Parisi çka do të çonte në heqjen përfundimtare të vetos së Sofjes e cila do të çonte në hapjen e negociatave edhe për vendin tonë.
Charles Michel premtoi angazhimin e mëtejshëm të Brukselit për Ballkanin Perëndimor pas dështimit në samitin e qershorit për hapjen e negociatave.
"Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor aq sa ata kanë nevojë për ne. Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është prioriteti kryesor i Bashkimit Evropian," tha ai.
Në fjalën e tij, kreu i Këshillit foli edhe për dialogun Kosovë Serbi, të cilin e futi në listën e prioriteteve të Brukselit për muajt në vijim.
Në fjalën e tij nuk përmendi liberalizimin e vizave për Kosovën.