Ndërron jetë ish komandanti i KFOR-it, Klaus Reinhardt

Ndërron jetë ish komandanti i KFOR-it, Klaus Reinhardt

Forcat paqeruajtëse të drejtuara nga NATO-ja në Kosovë, ulën flamurin në gjysmështizë të enjten, në shenje nderimi ndaj ish-komandantit të KFOR-it, Klaus Reindhardt, i cili ndërroi jetë më 30 nëntor.

Gjenerali gjerman, Klaus Reinhardt, i lindur në vitin 1941, përveç ushtarak, ishte edhe doktor i shkencave politike dhe historisë. Ai drejtoi forcat e KFOR-it në Kosovë në periudhën ndërmjet 8 tetorit të vitit 1999 dhe 18 prillit të vitit 2000.

“Me zemër të rënduar përshëndesim dhe e ulim flamurin e KFOR-it në gjysmështizë për humbjen e ish-komandantit, gjeneral Dr. Klaus Reindhardt. Nuk i harrojmë kurrë vëllezërit tanë të armëve dhe të gjithë ndajmë dhimbjen për humbjen e ish-komandantit tonë. Prehu ne paqe gjeneral”, thuhet në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale nga forcat paqeruajtëse në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke ngushëlluar familjen dhe miqtë e zotit Reinhard, shkroi se Kosova “humbi një mik të dashur. E pikëlluar për vdekjen e gjeneralit Klaus Reinhardt, i cili udhëhoqi KFOR-in në kohë të vështira për vendin tonë”, shkroi ajo.

Ngushëllime për vdekjen e gjeneralit Reinhardt shpresën edhe udhëheqës tjerë institucionesh e partish politike.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shkroi se zoti Reinhardt, “u bë pjesë e rrugëtimit historik të Kosovës, në kohën e vështirë të vendosjes së paqes dhe rindërtimit”.

Klaus Reinhardt në vjeshtën e vitit 1999, pasoi në krye të KFOR-it gjeneralin britanik, Michael Jackson që ishte komandanti i parë i forcave paqeruajtëse që hynë në Kosovë në qershor të atij viti, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare./VOA/

EMISIONET