Ndërmerret iniciativë për zëvendësim të kryetarit të Mitrovicës së Veriut

Ndërmerret iniciativë për zëvendësim të kryetarit

Një grup qytetarësh kanë ndërmarrë të enjten iniciativë për zëvendësimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Kërkesa i është dorëzuar kryetarit të Kuvendit të kësaj komune, Nexhat Uglanin.

“Tani jam i detyruar të informoj Ministrinë për Vetëqeverisje Lokale dhe Komisionin Qendror Zgjedhor, dhe kam pesë ditë të shqyrtoj kërkesën e tyre”, ka thënë Uglanin për Radion Evropa e Lirë.

Këta janë disa prej hapave që parasheh një udhëzim administrativ për zëvendësimin e kryetarit, të cilin Qeveria e Kosovës e ka miratuar në fillim të muajit shtator.

Ky udhëzim hap rrugën për mbajtje të zgjedhjeve lokale në katër komuna në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Mbajtjen e zgjedhjeve të reja e ka kërkuar edhe komuniteti ndërkombëtar, pas protestave që kanë mbajtur banorët lokalë në këto komuna, duke refuzuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Ata i kanë fituar zgjedhjet e mbajtura në prill, të cilat i ka bojkotuar komuniteti serb.

Situata me raste është përshkallëzuar në protesta, sidomos më 29 maj, kur një grup serbësh janë përleshur me pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Qeveria e Kosovës është pajtuar për mbajtje të zgjedhjeve të reja, me kusht që kryetarët aktualë të largohen vetëm përmes ligjit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka përkujtuar më 6 dhjetor, se cilët hapa duhet të ndiqen për largim të kryetarit, dhe ka thënë se janë të gatshëm të kryejnë detyrat, sapo procedura të nisë zyrtarisht.

Udhëzimi administrativ për largim të kryetarit të komunës, i lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i parasheh këta hapa:

Duke u bazuar në listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e prillit, i bie që, për ta çuar peticionin përpara, në Mitrovicë të Veriut duhen 3.600 nënshkrime, në Leposaviq 2.600 nënshkrime, në Zveçan 1.400 nënshkrime dhe në Zubin Potok 1.300 nënshkrime.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, zgjedhjet e parakohshme për kryetarë mund të mbahen në tri raste:

nëse kryetari aktual jep dorëheqje
nëse qytetarët kërkojnë shkarkimin e tij përmes peticionit, dhe
nëse kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye./REL

EMISIONET