"Ndërkombëtarët të dalin me qëndrim publik për këto shkelje", Osmani: Prapa bllokadave në pikat kufitare me Kosovën qëndron shteti serb
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas ceremonisë së inagurimit të shtatores së Ibrahim Rugovës në Podujevë, ka folur edhe për veprimet e serbëve në pikat kufitare mes dy vendeve.
Osmani tha se prapa bllokadave në pikat kufitare me Kosovën qëndron shteti serb, ndërsa shtoi se këto veprime janë në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e Brukselit të arritura në 12 vite. Presidentja i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dalë me qëndrim publik për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë.
“Në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e Brukselit të cilat janë arritur në këto 12 vite, Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, fqinjësia e mirë, përkundrazi ajo po vazhdon të shfrytëzojë banda kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë. Këto bllokada të cilat janë krijuar kohëve të fundit, të cilat në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare kanë vetëm një qëllim, të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë. Por, në të njëjtën kohë e tregojnë lidhmërinë e drejtpërdrejt ndërmjet shtetit serb dhe bandave kriminale që i kanë organizuar këto bllokada.…I bëj thirrje aleatëve tanë që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”, ka thënë Osmani.
Aktualisht, sipas mediave të Kosovë, pika kufitare në Merdarë dhe Bërnjak po vazhdojnë të jenë e mbyllura, ndërkohë në Jarinje është raportuar se ka qarkullim të veturave. Pas mbylljes së pesë zyrave të strukturave paralele në veri nga Policia e Kosovës me dyshimet për falsifikim me dokumente, Këshilli për Bllokada i Serbisë paralajmëroi bllokim të pikë-kalimeve kufitare.