Ministri Sveçla: Pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët e Kosovës

Ministri Sveçla: Pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, deklaron se pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla konfirmoi se barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës në nëntë lokacione, tashmë janë larguar plotësisht.

“Siç jemi zotuar edhe mbrëmë, si Qeveri e Republikës së Kosovës, me largimin e barrikadave dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët tanë, ne e zhvendosëm zbatimin e vendimeve për datën 1 shtator 2022, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në vend dhe rajon”.

Edhe policia e Kosovës e njoftoi më herët përmes një njoftimi zyrtar.

"Bazuar në informacionet zyrtare të pranuara nga Departamentet policore si dhe nga Drejtoria Rajonale  Mitrovicë Veri, të gjitha barrikadat të cilat ishin të vendosura në rrugët në drejtim të dy pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë larguar. Pas largimit të barrikadave dhe lirimit të rrugëve për qarkullim, tani të dy pikë kalimet kufitare janë hapur për qarkullim dhe lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve dhe mallrave. Policia e Kosovës me njësitet policore, do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe autorizimeve policore konform procedurave të parapara ligjore, në shërbim të vendit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallime".

EMISIONET