Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, prezanton konceptin fillestar për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës,

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku e ka prezantuar të hënën konceptin fillestar për organizim të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Ai e ka konsideruar organizimin e këtyre Lojërave nga Kosova si arritje historike të komunitetit sportiv të këtij vendi.

Çeku ka thënë se koncepti me të cilin ka fituar Kosova - e që mund të avancojë në të ardhmen - bazohet në organizim të Lojërave në dy shtete dhe 11 komuna, përfshirë 10 të Kosovës dhe Durrësin në Shqipëri.

Ai ka thënë se garat do të mbahen në 24 objekte sportive, prej të cilave 10 do të rinovohen, përfshirë sallën e djegur në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, katër të reja do të ndërtohen, stadiumi kombëtar dhe kompleksi i pishinave olimpike.

Çeku ka përmendur se pesë objekte sportive janë në ndërtim e sipër, përfshirë stadiumin e Gjilanit dhe atë të Mitrovicës.

Sipas tij, nga investimet e përkohshme do të përfitojnë sporte si basketbolli, lundrimi dhe çiklizmi.

Përgjatë prezantimit, ministri ka treguar edhe për shtrirjen e garave sportive në Kosovë:

“Përtej kësaj, parashihet renovimi i plotë dhe zgjerimi i Qendrës së Studentëve në Prishtinë, që përgjatë Lojërave do të shërbejë në funksion për fshatin mesdhetar”.

Mes tjerash, Çeku e ka përmendur se do të hartohet ligj i veçantë për Lojërat Mesdhetare 2030, do të formohet komiteti organizativ për këto Lojëra dhe do të krijohet master-plani.

“Ky rezultat ndërkombëtar i vendit tonë e pasqyron faktin që në Qeverinë tonë, sporti është prioritet shtetëror”.

Vendimi për organizimin e këtyre Lojërave është marrë nga Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) në një takim më 8 shtator të mbajtur në Heraklion të Greqisë.

Lojërat Mesdhetare organizohen çdo katër vjet dhe për vendet e pellgut të Mesdheut përbëjnë ngjarjen më të rëndësishme shumësportive, pas Lojërave Olimpike.

Në kuadër të këtij organizimi mbahen gara në më shumë se 25 disiplina.

Në to marrin pjesë atletë nga vendet e Afrikës, Azisë dhe Evropës me qasje në rajonin e Mesdheut.

Vitin e kaluar nikoqir i këtij organizimi ka qenë Orani i Algjerisë./REL

EMISIONET