Ministri gjerman ia thotë në sy Vuçiçit, Pistorius: Rusia ka ndikim në Serbi, do ta armatosim Kosovën
Garancinë për mbrojtjen e Kosovës, e përsëriti edhe në Serbi. Ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, ia tha në sy presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, se vendi i tij do të vazhdojë ta ndihmojë me armë dhe në fushën ushtarake Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Kjo ngjalli zemërimin e nikoqirit, i cili u detyrua të garantonte se Beogradi nuk do të befasojë askënd me lëvizje ushtarake. Një tjetër kritikë e sjellë nga Berlini, ishte ajo për raportet e ngushta mes Serbisë dhe Rusisë, duke paralajmëruar se kjo pengon rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Sa është ndikimi i Rusisë në Serbi, do të jap përgjigje në këtë pyetje. Perceptimi ynë është se ka mjaft ndikim në shumë kanale. Serbia duhet të gjejë mënyrën e saj për t’u përballur me këtë dhe Serbia duhet të marrë përgjegjësinë dhe rolin e saj në rajon se si do të komunikojë për të gjitha vështirësitë me të gjitha gjërat, të cilat perceptohen si ndonjë provokim. Por nuk ka rrugë drejt BE-së përmes konflikteve në rajon dhe kjo duhet komunikuar qartë”, tha Pistorius.
Ministri gjerman kërkoi që Serbia ta njohë Kosovën dhe të reduktojë prezencën ushtarake në kufirin mes vendeve. Ndërsa Vuçiç u përgjigj i irrituar duke thënë se Beogradi dhe Berlini ndajnë qëndrime të kundërta për këtë temë.
Presidenti serb përsëriti retorikën e zakonshme duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se me vendimin për dinarin po tenton të bëjë spastrim etnik në Kosovë.
“Sa i përket marrëdhënieve me Rusinë, unë shpjegova specifikat e qëndrimit të Serbisë, Kartën e OKB-së, marrëdhëniet me Kosovën, dhe deklarova se gjithçka që tha Pistorius për integritetin territorial të Ukrainës është e vërtetë dhe ne në Serbi e dimë më së miri se si duket kur i mohon dikujt te drejta të barabarta për integritetin territorial. Në asnjë mënyrë nuk e kërcënojmë bashkëpunimin me Ukrainën. Do të marr pjesë në samitin në Tiranë. Presidentin Putin nuk e kam parë për dy vjet përveç një takimi shumë të shkurtër samitin në Kinë. Nuk kam çfarë fsheh.”, tha Vuçiç.
Ndër të tjera, ministri gjerman i mbrojtjes nënvizoi në Serbi se hetimi për sulmin në Banjskë është vendimtar për atë që do të pasojë.