Largohet kamioni që bllokonte rrugën te Bërnjaku, nis qarkullimi i veturave

Largohet kamioni që bllokonte rrugën te Bërnjaku, nis qarkullimi


Është larguar edhe kamioni që ndodhej mbi urën afër pikëkalimit kufitar në Bërnjak, i vendosur nga serbët për ta bllokuar atë pjesë.

Qarkullimi i veturave tashmë ka nisur mbi urë, ndonëse me vështirësi.

Në rrugë po qëndrojnë edhe njësitë e Policisë së Kosovës të cilët po përkujdesen për rendin.

Më herët u njoftua se të gjithë kamionët që ndodheshin në rrugën që shpie për në pikë kalimin kufitar në Bërnjak janë larguar të hënën në mesditë.

Barrikada tashmë është hequr dhe ka nisur qarkullimi i lirë i veturave në atë pjesë.

Atje po qëndron edhe forcat e Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it.

Kryeministri i Kosovës deklaroi në një konferencë për median se priste që barrikadat të hiqeshin gjatë ditës së sotme. 

Kryeministri Albin Kurti ripërsëriti vendimin e qeverisë së tij se shtyrja e lëshimit të letërnjoftimeve për qytetarët serbë do të realizohet vetëm pasi të hiqen të gjitha barrikadat nëpër rrugët që të çojnë nëpër pikat kufitare.

Ndërkohë pas fjalës së zotit Kurti janë larguar barrikadat edhe në fshatin Zupç në komunën e Zubin Potokut.

Fshati gjendet në afërsi të magjistrales Mitrovicë-Brnjak.

Më herët kamionët janë larguar edhe në barrikadën e Gornje Jarinjës e cila të çon drejt pikës së kalimit kufitar me të njëjtin emër.

Ndërkohë për sa kohë vijon bllokada e rrugëve ka vijuar pajisja e qytetarëve serbë me letërnjoftimet 90-ditore sipas vendimit të qeverisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha në konferencën për medie se mbi 1500 qytetarë janë pajisur me letërnjoftimet e nevojshme për të hyrë në territorin kosovar.

EMISIONET