Kurti takon emisarin Sarrazin: Serbia të sanksionohet ndërkombëtarisht
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri i Parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, bashkë me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde.
Sipas njoftimit tw Qeverisë, temë qendrore e bisedës ishte situata e sigurisë në Republikën e Kosovës.
“Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit të organizuar e mbështetur nga Beogradi zyrtar nga i cili u vra në krye të detyrës, rreshteri i Policisë Afrim Bunjaku, veprimet destabilizuese të Serbisë vijuan dhe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
"Kryeministri Kurti theksoi që dëshmitë e mbledhura përgjatë hetimeve të realizuara pas sulmit kriminal dhe terrorist, faktojnë e dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, për të cilin Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht|, citohet Kurti në komunikatë.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës, përmes ushtrimit të kompetencave të saj kushtetuese e ligjore, mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët në komunat në veri të vendit dhe bashkëpunimin me partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë.
Në fund kryeministri Kurti e falënderoi emisarin Sarrazin për këtë vizitë të radhës dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm e intensiv.a