Kurti: Nuk kemi ndaluar dinarin legal, por thasët me dinarë nga Beogradi për grupet kriminale!

Kurti: Nuk kemi ndaluar dinarin legal, por thasët me dinarë nga

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se rregullorja e Bankës Qendrore nuk e ndalon Serbinë që të ndihmojë financiarisht qytetarët e komunitetit serb në Kosovë dhe sipas tij çdo pohim i të kundërtës është propagandë e rreme që synon krijimin e tensioneve etnike.

Ai i bëri komentet përmes një videomesazhi në gjuhën serbe, ku tha se Kosova nuk e ka ndaluar dinarin serb, por futjen e tij me thasë përmes kufirit.

“Deri tani, mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufijve u mundësonte grupeve kriminale të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar kështu ndikimin e tyre mbi popullin, frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët nga kreu i shtetit serb”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se Banka Qendrore e Kosovës i ka ofruar Bankës Popullore të Serbisë lehtësime për konvertimin e dinarëve në euro dhe ka siguruar hapjen e llogarive bankare në euro pa pagesë për ata që ende nuk e kanë bërë këtë.

“Përmes tyre mund të merret edhe ndihma për komunitetin serb, e dërguar nga qeveria e Beogradit, e pranuar në euro dhe e regjistruar përmes llogarisë bankare për hir të transparencës dhe vendosjes së ligjshmërisë. Në këtë mënyrë, shuma e parave të dërguara nga Beogradi do të përputhet saktësisht me paratë që do të merrni në Kosovë”, tha kryeministri Kurti duke nënvizuar se qeveria e tij do të bëjë gjithçka që përmes fushatave informuese të mundësojë një periudhë kalimtare të lehtë.

“Gjëja më e rëndësishme është të kuptohet dhe besohet se vendosja e shtetit ligjor është e pashmangshme, dërgimi i parave përmes transaksioneve bankare është i pakompromis dhe gëzimi i të drejtave të fituara deri më tani në mënyrë të lirë, nga autoritetet shtetërore në Kosovë, është një pjesë e domosdoshme e garantimit të lirisë së të gjithë qytetarëve për të marrë çdo ndihmë financiare nga cilado palë apo autoritet që vjen përmes rrugëve ligjore”, tha kryeministri Kurti në video mesazhin e tij drejtuar serbëve të Kosovës.

Mesazhi i kryeministrit Kurti pason trysninë perëndimore ndaj Kosovës për një periudhë kalimtare rreth zbatimit të vendimit për përdorimin e Euros si e vetmja valutë në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në disa raste kërkuan nga qeveria e Kosovës që të pezullohet menjëherë zbatimi i vendimit të Bankës Qendrore, duke shfaqur shqetësimin se çështja mund të nxisë tensione të reja.

Autoritetet në Kosovë janë pajtuar për një periudhë kalimtare për të sqaruar dhe shmangur paqartësitë rreth rregullores së Bankës Qendrore që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, por pa dhënë një afat kohorë për të.

Çështja e dinarit serb u diskutua të enjten e javës së kaluar me tone të ashpra ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe me thirrjet e ambasadorëve perëndimorë që palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë drejt përshkallëzimit të situatës.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, akuzoi autoritetet në Kosovë se me veprimet e tyre po e vështirësojnë jetën e serbëve.

Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë serbë i cili përdoret për pagesa në mjediset me shumicë serbe, posaçërisht në veri të vendit./VOA/

EMISIONET