"Kurti, me pushime në Amerikë", opozita kosovare kritikon vizitën e kryeministrit në SHBA
Opozita në Kosovë e ka quajtur vizitën maratonë të kryeministrit Albin Kurti si një përmbushje të ëndrrës së tij amerikane, por kjo nuk i ngjan një vizite zyrtare, por një ekspedite.
Ekspeditë, vizitë studimore dhe në rastin më të mirë vizitë e zbehtë. Kështu është vlerësuar vizita maratonë e kryeministrit Kurti në Shtetet e Bashkuara nga opozita kosovare dhe shoqëria civile.
Ai gjendet në Amerikë, që prej 6 majit.
Ndërsa e cilëson vizitën e kryeministrit si të zbehtë, për nënkryetaren e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ajo i ngjan më shumë ekspedite se sa një vizite zyrtare.
Ndërsa shoqëria civile e mirëpret vizitën e kryeministrit në Shtetet e Bashkuara e të çdo zyrtari tjetër.
Por megjithatë, Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se vizita të tilla duhet të japin rezultate konkrete.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ditë më parë e ka quajtur vizitën e Kurtit si joefektive.
Që nga marrja e mandatit si kryeministër, kjo është vizita e parë zyrtare e kryeministrit Kurti në Shtetet e Bashkuara.