Kurti: Liridona Ademaj u vra me paramendim, u vra se ishte grua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për vrasjen e Liridona Ademajt, duke thënë se ajo u vra se ishte grua. Kurti, theksoi se arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton, pasi kryesit e krimeve, siç tha ai, nuk po marrin dënimin e merituar.

“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua”.

“Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë.  Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore”, shkroi Kurti,

Kryeministri theksoi se tre të dyshuarit duhet të marrin dënimin maksimal.

“Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin”.

Kurti gjithashtu potencoi se se për t’u parandaluar këto krime duhet që të gjithë që të punojnë në secilën fushë e vend.

“Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi. Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend.  Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu”.

“E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, shkroi kryeministri Albin Kurti.

EMISIONET