Kurti: Kryetarët e rinj, të vetmit që kanë legjitimitet të jenë në ndërtesa të komunave

Kurti: Kryetarët e rinj, të vetmit që kanë legjitimitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës – me shumicë serbe – e kanë mbështetjen e plotë të ekzekutivit.

Sipas Kurtit, ata “janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve”.

“Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim”.

Sa u përket përleshjeve të së hënës në Zveçan, mes forcave të KFOR-it dhe protestuesve serbë – të cilët e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale - Kurti ka thënë se “nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti”.

“Të tillë janë kriminelët multi-milionerë si Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq. Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiç, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq”.

Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke komunikuar me partnerët ndërkombëtarë, dhe se të gjitha palët e synojnë qetësimin e situatës.

Përveç Zveçanit, protesta janë mbajtur edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok.

Faktori ndërkombëtar është duke bërë thirrje për shtensionim sa më të shpejtë të situatës.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: "stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund" për të.

Ai i është referur vendimit të Qeverisë së Kosovës për t'i instaluar me forcë kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të vendit - Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - përkundër rezistencës së vazhdueshme të banorëve lokalë, që ka rezultuar në dhunë.

EMISIONET