Kurti kërkon reformim të procesit të Berlinit për përshpejtimin e integrimit europian

Kurti kërkon reformim të procesit të Berlinit për

Albin Kurti ndodhet prej ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbrëmjen e së mërkurës ai zhvilloi një intervistë pranë një “think tanku” të rëndësishëm amerikan si Këshilli i Atlantikut. Kurti foli për procesin e integrimit evropian të Ballkanit ku propozoi një Proces Berlini 2.0, teksa kundërshtoi kategorikisht çdo paralele mes Kosovës dhe Republikave të vetëshpallura në Lindje të Ukrainës.

Kryeministri Albi Kurti ka kërkuar një përshpejtim të procesit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në një intervistë për Këshillin e Atlantikut ai propozoi një Proces Berlini 2.0.

 “Gjermania të udhëheqë por me një Proces më të sofistikuar që mund ta quajmë “Procesi i Berlinit 2.0”, ku të ketë afate kohore që ne të punojmë brenda tyre. E kam propozuar që të jemi pjesë e një tregu të përbashkët”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës kërkoi gjithashtu që Serbia të njohë dokumentet e Kosovës.

“Duhet që Serbia të njohë dokumentet tona. Presidenti Vuçiq mundet së paku të njohë dokumentet tona. Shtete tjera sikur Greqia që nuk na njohin, na njohin dokumentet. Kjo do të përshpejtonte lëvizjen e lirë. Por ai nuk e lejon këtë. Kjo është absurdite” tha Kurti.

Një pikë tjetër që u cek ishte edhe referimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për Kosovën si precedent.

“Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes së shëndoshë”, tha Kurti.

Putini e ka përmendur disa herë Kosovën. Për Kurtin dhe shumë analistë të rajonit,  Moska është e interesuar që të “hapë fronte të tjera betejash”, dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të kërcënohet nga këto qëllime. Integrimi i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian rrit sigurinë e Evropës, sipas shumë ekspertëvë ndërkombëtarë.

EMISIONET