Kurti i përgjigjet Ramës për 'Teoritë konspirative': Rruga e vetme drejt Evropës procesi i Berlinit, jo “Ballkan i Hapur”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një konferencë për shtyp i është përgjigjur Kryeministrit Edi Rama, i cili pak më parë tha se Kosova po krijon teori konspirative për nismën “Ballkan i Hapur”.

Kreu i qeverisë së Kosovës, u shpreh se nuk e di se për cilën teori e ka fjalën, ndërkohë shtoi se procesi i Berlinit është i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për të ndjekur rrugën drejt integrimit evropian.

Pyetje: Si i përgjigjeni Kryeministri edi Rama I cili tha se Kosova krijon teori konspirative në lidhje me pjesëmarrjen e Open Ballkan?

Kurti: Unë nuk e di për çfarë teori konspiracioni është fjala këtu, a e keni pyetur për cilën teori? Unë nuk e di për cilën teori bëhet fjalë, por po tregojë qëndrimin tim, që procesi i Berlinit është i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për rrugëtimin evropian dhe nuk ka nevojë për variante të tjera. Ballkani jo që nuk është tre shtet por as gjashtë shtete.

Sipas Kurtit dallimi mes procesit të ‘Berlinit’ dhe të ‘Ballkanit të Hapur’ është se në të dytën se kemi BE-në

Kurti: Ballkani është së paku 12 shtete. Ballkani Perëndimor me këto 6 shtete ka procesin e Berlinit. Pasnesër do të kemi takim me qeverinë e Maqedonisë së veriut në Shkup dhe jemi për marrëdhënie bilaterale. Mirëpo iniciativat rajonale nuk besoj se duhet të bëhen pa BE-në brenda. Dallimi mes procesit të Berlinit dhe të Ballkanit të hapur është se në të dytën se kemi BE-në.

Kurti duke iu referuar Ramës thotë se nuk duhet të shprehim mirëkuptimin e Serbisë për mosnjohjen e Kosovës.

Kurti: Duhet të theksuar se Republika e Kosovës është një shtet i pavarur për të cilën të gjithë ne duhet të angazhohemi pavarësisht pozitës që kemi dhe kudo që ndodhemi njohjen e Kosovës, dhe jo të shprehim mirëkuptim ndaj Serbisë për mosnjohjen e saj. Çfarëdo lloj mirëkuptimi për Serbinë për mos njohjen e Kosovës i kushton Kosovës. 

 

EMISIONET