Kurti i drejtohet BE-së me letër: Serbia po shtyp shqiptarët e Luginës së Preshevës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka drejtuar një letër Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të Komisionit Evropian, Kaja Kallas, duke denoncuar diskriminimin sistematik që Serbia po u bën shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kurti në letrën e tij thekson se shqiptarët e Luginës përballen me shtypje të vazhdueshme nga regjimi serb, përmes politikave që cenojnë të drejtat e tyre politike, administrative, ekonomike, kulturore dhe identitare.
Gjithashtu Kurti ka ngritur shqetësime për mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike, shëndetësore dhe juridike të Serbisë, si dhe për kufizimet në arsimimin në gjuhën shqipe. Sipas tij, mbi 10% e shqiptarëve janë fshirë nga listat e votuesve, ndërsa papunësia në zonat e tyre arrin nga 30% deri në 70%, shumë më e lartë se mesatarja kombëtare e Serbisë prej 12%.
Kryeministri ka theksuar gjithashtu se Serbia ka vendosur 48 baza ushtarake pranë kufirit me Kosovën dhe ka caktuar shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke e konsideruar këtë një kërcënim serioz për shqiptarët e Luginës dhe një përpjekje për të shkaktuar shpërngulje masive. Kryeministri ka kërkuar nga BE-ja të ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar këtë situatë dhe për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Gjersa në Kosovë komuniteti serb gëzon të drejta e liri, e një shtet që po i integron në sferat shoqërore, shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen çdo ditë me diskriminim sistematik, pasivizim të adresave e spastrim etnik administrativ. Shqiptarët në Serbi janë të papërfaqësuar në institucione publike e ato shëndetësore e juridike, nuk iu ofrohen shërbimet të cilat iu takojnë, iu mohohet arsimimi në gjuhën e tyre, nuk iu njihen diplomat e nuk kanë të drejta e as liri themelore.
Mbi 10 për qind e qytetarëve shqiptarë janë fshirë nga listat e votuesve e nuk mund të ushtrojnë të drejtën themelore të votës. 30 deri në 70 për qind është niveli i papunësisë në zonat e banuara me shqiptarë, shumë herë më e lartë se mesatarja e vendit prej 12 për qind. Spitali rajonal në Vranjë nga mbi 1000 punëtorë i ka veç dy shqiptarë e në Medvegjë nga rreth 2000 punonjës komunalë veç 12 janë shqiptarë.
Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve përkrahet nga shteti atje. Simbolet kombëtare janë rreptësisht të ndaluara bashkë me shprehjen kulturore e artistike. S'ka integrim por terrorizim. Komuniteti i shqiptarëve nuk integrohet, por Beogradi tenton ta frikësojë. I kanë ngritur bazat ushtarake në Bujanoc, e cila është edhe ndër më të mëdhatë në vend, si dhe i kanë vendosur 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, specifikisht në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Caktimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga qeveria serbe përbën gjithashtu një kërcënim të madh për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke rrezikuar shpërnguljen masive dhe përsëritjen e traumave të së kaluarës.
Represioni i vazhdueshëm dhe sistematik i komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës qëndron në kundërshtim me vlerat evropiane e demokratike. Aktet e veprimet e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës janë antiteza e parimeve të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit dhe kërkon reagim e veprim urgjent nga Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare.