Kryetarët e veriut të Kosovës, Kurti: Nesër marrin detyrën, pjesëmarrja e ulët në zgjedhje prej Beogradit

Kryetarët e veriut të Kosovës, Kurti: Nesër marrin

Nesër do t'i jepet fund debatit për drejtimin e katër komunave në veri të Kosovës. Të zgjedhurit e rinj do të marrin detyrën pas betimit.

Kryeministri Albin Kurti duke bërë të ditur detajet ka fajësuar Beogradin për pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet e prillit për shkak të presionit që u ushtrua

Tre kryetarët e komunave të veriut në Kosovë do të betohen të enjten duke zyrtarizuar kështu nisjen e detyrës.

Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar zhvillimin e ceremonisë duke u shprehur se nuk është normale që qytetarët të mbesin prej 6 muajsh pa drejtues duke sjellë dhe probleme me dhënien e shërbimeve

“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seancat konstituive dhe betimi i tre kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Kanë kaluar mbi 6 muaj prej kur këto katër komuna mbeten pa kryetar, dy prej tyre edhe pa Kuvende, e banorët atje pa shërbime komunale, kjo nuk është normale, veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim. Kjo nuk është zgjedhje është obligim i yni këtë angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë e vendit, sepse të gjitha këto janë normale në demokraci dhe republikë“

Kryeministri nuk harroi të shigjetonte dhe Beogradin duke theksuar se politika e serbisë ndikoi që në votimet të kishte pjesëmarrje të ulët

 “Dje u bë 1 muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve në komunën veriore të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit. Nuk pati asnjë incident ishin të qeta dhe paqësore, frikësimet, linçimet, trysnia dhe shantazhi nga Beogradi zyrtar ndikoi drejtpërdrejtë në daljen e ulët të qytetarëve serbë në këto zgjedhje. Vota e munguar ishte mungesë e vullnetit të lirë, jo shprehje e vullnetit politik, fushatat e tilla kërcënuese të Beogradit zyrtar ndaj serbëve lokalë veçanërisht në katër komunat tona të vendit janë të shpeshta dhe të vazhdueshme, por veç pse diçka ndodh shpesh dhe vazhdimisht nuk do të thotë se është normale dhe e pranueshme”

Të premten do të zhvillohet edhe ceremonia në Mitrovicën veriore ku fitoi Erden Atiq. Prej gjashtë muajsh këto komuna kanë mbetur pa kryetar pas dorëheqjes së drejtuesve që ishin të komunitetit serb.

EMISIONET