Kosovë, Osmani ua kërkon partive politike emrat për anëtarë të rinj të KQZ-së
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u ka kërkuar partive politike t’i propozojnë emrat për anëtarë të rinj në KQZ, ka bërë të ditur për Kosovapress Bekim Kupuna nga Presidenca. Ajo tashmë ua ka dërguar një shkresë grupeve parlamentare që janë regjistruar në Kuvendin e Kosovës.
Ligji për Zgjedhjet obligon presidenten që jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve parlamentare t’ua kërkojë grupeve parlamentare propozimet për anëtarë të KQZ-së.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, bazuar në rezultatet që kanë dalë nga zgjedhjet e përgjithshme, jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend, u kërkon grupeve parlamentare/subjekteve politike që të propozojnë me shkrim kandidatët për anëtar të KQZ”, thuhet në paragrafin 6 – neni 61.
Në këtë nen thuhet se “grupet parlamentare/subjektet politike brenda afatit prej 7 ditësh i dërgojnë propozimet e tyre dhe emërimi nga presidenti bëhet brenda 5 ditësh nga dërgimi i propozimeve”.
Mandati i anëtarëve të KQZ-së është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor dhe në parim fillon jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve. Fillimi i mandatit nënkupton përfundimin e mandatit paraprak. Kujtojmë, KQZ ka certifikuar më 27 mars rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit.