Kosova pranohet në një tjetër organizatë ndërkombëtare, në Këshillin Evropian për Mjekësi Ligjore
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu njoftoi sot se Kosova u pranua në një tjetër organizatë ndërkombëtare, në Këshillin Evropian për Mjekësi Ligjore.
Në njoftimin e publikuar në Fb, Haxhiu shprehet: "Sot, në Athinë të Greqisë, u mbajt takimi i 17 i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit Evropian për Mjekësi Ligjore (ECLM - European Council of Legal Medicine), ku një ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe aplikimi i Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.
Kosova në këtë takim u përfaqësua nga një delegacion i Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe gjatë takimit delegatët e Këshillit Evropian për Mjekësi Ligjore, pasi shqyrtuan dokumentacionin e paraqitur nga Instituti, konstatuan se Kosova plotëson të gjitha kushtet duke votuar në mënyrë unanime për pranimin e Kosovës brenda familjes së madhe evropiane mjeko ligjore.
Ky paraqet një sukses të madh për Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Republikën e Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane përmes harmonizimit të rregullave dhe procedurave mjeko ligjore me standardet evropiane.
ECLM është organ zyrtar që bashkon shtetet evropiane në trajtimin e të gjitha parimeve shkencore, edukative dhe profesionale në Evropë."