Kosova dhe Serbia rrisin tonet sa i takon dialogut mes vendeve

Kosova dhe Serbia rrisin tonet sa i takon dialogut mes vendeve

Kosova dhe Serbia janë angazhuar seriozisht në procesin e dialogut, por këtë herë jo për të nënshkruar marrëveshje të reja, por për të përshkallëzuar përçarjet.

Kryeministri Kurti dhe i dërguari i presidentit Vuçiç në Kosovë, ose ndryshe kreu i të ashtuquajturës zyrë serbe për Prishtinën, Petar Petkoviç janë përplasur indirekt sa i përket dialogut, pasi i pari i qeverisë potencoi edhe njëherë se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të themelohet.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Petkoviç e ka quajtur kryeministrin Kurti një zjarrvënës të Ballkanit.

"Në kohën kur e gjithë bota po rrëshqet në një krizë të përmasave të paimagjinueshme, askush nuk ka nevojë për një zjarrvënës si Albin Kurti. Kurti nuk do dialog, do konflikt, në kundërshtim me çdo logjikë dhe arsye. Në dialogun e Brukselit, negociatorët e Prishtinës u zotuan të nënshkruajnë Bashkimin e Komunave Serbe, dhe jo ndonjë organizatë joqeveritare, Beogradi do të vazhdojë të insistojë me këmbëngulje dhe në mënyrë të palëkundur që të zbatohet ajo që është rënë dakord me ndërmjetësimin e BE-së. Kjo është arsyeja pse Kurti nuk u prit në Shtëpinë e Bardhë gjatë ekskursionit të tij në Shtetet e Bashkuara," ka thënë ai.

Sa për unifikimin e komunave me shumice serbe, kryeministri Kurti ripërsëriti edhe njëherë në një intervistë për Zërin e Amerikës se asociacioni nuk mund të themelohet për shkak të arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila shpalli atë antikushtetuese.

Po në këtë intervistë, kryeministri Kurti i bëri thirrje Serbisë që të largohet nga politikat që lidhen me Moskën, pasi po rrezikon ta shndërrojë vendin në një Bjellorusi të vogël në rajonin e Ballkanit.

EMISIONET