Kosova 17 vite e pavarur, Bytyçi: Tashmë kemi një shtet funksional, zhbërja e strukturave paralele serbe, arritje historike
Kosova festoi ditën e djeshme 170vjetorin e Pavarësisë së saj dhe në optikën e studiuesit Enver Bytyçi, tashmë Kosova është një shtet funksional, me rend dhe me ligjet e saj.
Në një intervistë për “Ora Neës” Bytyçi u shpreh i mendimit se Republika e Kosovës ka arritur ta dëshmojë veten në disa aspekte, ku më i rëndësishmi është ai i demokracisë funksionale që ekziston atje dhe në respektimin e minoriteve nga ana e shtetit më të ri në rajon.
“Kosova ka arritur të konsolidojë institucionet e veta, në 4 vitet e fundit ka arritur të shtrijë sovranitetin e saj territorial edhe në Veri të vendit, edhe pse jo ende në 100 % të saj.
Kjo sepse sovraniteti territorial lidhet edhe me njerëzit që jetojnë në territorin përkatës. Kjo do të thotë se për sa kohë ka serbë atje dhe që nuk respektojnë ligjet e Kosovës, edhe sovraniteti është pak i cënueshëm.
Por me zhbërjen e sistemit paralel kjo ka shënuar arritje historike të saj”, u shpreh ndër të tjera Enver Bytyçi.
Por si janë marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë?
“Sa kohë që të jetë kryeministër Edi Rama, do të ishte një mrekulli e Zotit thjesht që të mos merret fare me çështjet e Kosovës. Nëse ai do të merret qoftë edhe më një çështje të vetme, thjesht do të ketë në njërën dorë fjalën dhe prapagandën dhe në dorën tjetër thikën pas shpine për Kosovën.
Këtë e ka dëshmuar për 10 vite dhe për këtë do ta dënojë atë historia në mënyrë të pamëshirshme.
Sepse Rama ka ndërmarrë iniciativat sipas projekteve serbe, ku fillimisht Kosova dhe Shqipëria të jenë pjesë e saj, pastaj për ndarjen dhe ndryshimin e kufijve në disfavorin e Kosovës; pastaj për “Ballkanin e Hapur” dhe mini-Shengeni, dhe ka forcuar lidhjet e Shqipërisë me Serbinë në dëm të Kosovës në mënyrë të jashtëzakonshme; ka rehabilituar në arenën perëndimore Aleksandër Vuçiçin dhe Serbinë në mënyrë që ata të kenë sukses në kundërvënien ndaj Kosovës; ka akuzar Kosovën për destabilizim të Rajonit”, u shpreh ndër të tjera studiuesi Enver Bytyçi.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME STUDIUESIN ENVER BYTYÇI