Konfiskim pasurive të paligjshme/ Kosova miraton ligjin për Byronë Shtetërore. Kurti: Do të parandalojë shpërdorimin e buxhetit
Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën disa ndryshime në Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pasi Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur atë të pavlefshëm. Po ashtu, është miratuar edhe programin kombëtar i mbrojtjes gjithëpërfshirëse, që thotë se s’ka më ushtri me detyrim.
Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën projektligjin e ndryshuar për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar këtë projektligj si ndër më të rëndësishmit të Qeverisë së tij, dhe se byroja do të shërbejë edhe si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare.
“Pavarësisht tendencave për zvarritjen e jetësimit të këtij ligji të rëndësishëm, byroja do të bëhet. Jetësimi i konceptit të konfiskimit civil, si zotim i yni, përveç se do ta ruajë pasurinë publike dhe do t’ia kthejë shtetit njëkohësisht atë që është përfituar kundërligjshëm. Byroja gjithashtu do të shërbejë edhe si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare”, tha Kurti.
Ndërsa ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ndryshimet përbëjnë katër nenet që janë hedhur poshtë nga Kushtetuesja.
“Ne nuk kemi hartuar ligj të ri, sepse nuk ka pasur nevojë për këtë. Por, i kemi adresuar vetëm katër çështje që janë konsideruar kundër Kushtetutës. Kjo qasje e re ndihmon në garantimin e një procesi më të drejtë dhe më të qartë për të gjitha palët e përfshira në procedurat e konfiskimit. Ndryshimet e reja sigurojnë që periudha e verifikimit të pasurisë të lidhet me periudhën kur zyrtari publik ka qenë në funksion duke lejuar përjashtimisht zgjatjen e verifikimit për pesë vjet pas përfundimit të ushtrimit të funksionit publik, nëse vlerësohet se pasuria është dukshëm më e lartë sesa të ardhurat e ligjshme”, tha ajo.
Ligji për Byronë ishte miratuar në shkurt të 2023-s nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa pak ditë më vonë ishte dërguar në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës.
Qeveria në Prishtinë ka miratuar po ashtu programin kombëtar të mbrojtjes gjithëpërfshirëse. Projekti ka për qëllim ruajtjen e interesave jetike te vendit dhe bazament janë dokumentet të fushës së mbrojtjes.