Këshilltari i lartë i DASH: Të shtyhen zgjedhjet në Kosovë, duam normalizim dhe njohje të ndërsjelltë
Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit Derek Chollet, javës tjetër do të nisë një turne në Ballkanin Perëndimor, me ndalesa në Kosovë, Serbi, Maqedoni e Veriut, Bosnje dhe Mal të Zi.
Në prag të vizitës, në një intervistë për shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, zoti Chollet thotë se zgjedhjet lokale në komunat në veri të Kosovës duhet të shtyhen për shkak të situatës së sigurisë atje.
Zyrtari i lartë amerikan po ashtu thekson se ndërsa normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka në themel njohjen reciproke, Uashingtoni, beson se bisedimet e tanishme janë një hap drejt kësaj, që Kosova të vazhdojë rrugën e integrimit drejt Evropës.
Derek Chollet: Vetëm 24 orët e fundit kemi parë veprime të dhunshme, është një kohë shumë e tensionuar dhe duam të sigurohemi që ekzistojnë kushtet e duhura që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Kosova është një demokraci shumë etnike, si Shtetet e Bashkuara. Prandaj, ne sugjerojmë me respekt, që këto zgjedhje të shtyhen, derisa të vijë koha e duhur kur mund të mbahen, pa nxitur më shumë paqëndrueshmëri dhe dhunë.
Ne i konsiderojmë bisedimet e drejtuara nga BE-ja mes Serbisë dhe Kosovës, si një element kritik në këtë drejtim. Ne jemi të përqendruar tek normalizimi me bazë njohjen e ndërsjellë. Por ne besojmë se bisedimet mund të çojnë në këtë hap dhe Kosova të mund të vazhdojë në rrugën e integrimit drejt Evropës. Kosova është një partnere e rëndësishme e Shteteve të Bashkuara. Unë e di që Kosova është një vend shumë pro-amerikan dhe Shtetet e Bashkuara janë një vend shumë pro-Kosovës dhe sigurisht ne kemi pasur një rol kritik në përpjekjet e Kosovës për të fituar pavarësinë. Gjatë dekadave të fundit, Kosova ka qenë një partner i shkëlqyer në aspektin e mbështetjes për Ukrainën, madje ka bërë më shumë se sa janë mundësitë e saj.