Incidenti në veri, Sveçla: Dhuna ndaj policëve nuk do të tolerohet

Incidenti në veri, Sveçla: Dhuna ndaj policëve nuk do të

Sërish incident mes forcave të Policisë dhe banorëve serbë në Veri të Kosovës, ku tensionet mbeten të larta muajt e fundit.

Një njësi e forcës Speciale të Kosovës e vendosur në Bistricë të Leposaviqit, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimit të krimit e kontrabandës u sulmua nga dy persona të cilët tentuan ti shmangen kontrollit.

Policia e Kosovës thotë se makina ku udhëtonin dy serbët ka goditur automjetin e Policisë duke rrezikuar drejtpërdrejtë edhe jetën e efektivëve, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri.

Dy personat që kundërshtuan policinë e Kosovës kanë arritur të largohen, ndërsa pas ngjarjes zyrtarë serbë konfirmuan se njëri prej tyre kishte mbetur i plagosur.

Shefi i të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë Serbe doli në deklaratë me pretendime se njësitë speciale të Policisë së Kosovës “qëlluan vetëm sepse nuk kanë dashur të lejojnë që policia t’i keqtrajtojë pa asnjë bazë dhe arsye”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, rrëzoi pretendimet duke deklaruar se dy serbët qëllimisht goditën automjetin e Policisë, duke i detyruar ti përgjigjen me armë sulmit.

“Dua të jem i qartë: çdo formë e dhunës kundër policëve tanë nuk do të tolerohet”, shkroi ai në Twitter.

Lista serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë pas incidentit, kërkoi edhe një herë largimin e njësive speciale të policisë nga veriu i vendit.

Incidenti i kësaj të hënë vjen rreth një muaj pas barrikadave që serbët lokalë ngritën në veri të Kosovë pas arrestimit të një ish-efektivi policie.

EMISIONET