Importet në Kosovë, çfarë vjen nga kopshtet e huaja në tryezat e qytetarëve?
Edhe pse Kosova ka kushte klimatike për prodhimin e kulturave të ndryshme bujqësore, sasinë më të madhe të tyre e importon. Domatet, specat, patatet e mollët ndër më të konsumuarat gjatë stinës së verës shumica vijnë nga jashtë.
“Për të gjitha këto, kushtet në Kosovë - qofshin klimatike, qofshin tokësore - janë të favorshme”, thotë profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, për Radion Evropa e Lirë.
Por, tregu është i orientuar nga importi, për shkak të migrimit të qytetarëve nga zonat rurale, si dhe mungesës së interesimit për t’i punuar tokat, sipas tij. Vendet nga ku importon Kosova, përfshijnë ato të rajonit, të Bashkimit Evropian dhe Turqinë. Radio Evropa e Lirë u bëri një analizë të dhënave për katër produktet e lartpërmendura - të përpiluara nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës dhe Dogana Kosovës.
Të fundit të disponueshme janë për vitin 2023. Kur krahasohen të dhënat për domaten në pesë vjetët e fundit, del se importi i saj ka pasur vlerën më të lartë në vitin 2023 - afro 12 milionë euro. Me patate, ndërkaq, eksporti e kaloi importin vetëm në vitin 2020, ndërsa vlera e importit mbeti e njëjtë në dy vjetët e kaluar - mbi 3 milionë euro.
Kur krahasohen të dhënat e dy vjetëve të fundit për mollë, del se importi i tyre ka shënuar rritje për më shumë se dy milionë euro në vitin 2023. Eksporti, ndërkaq, ka mbetur në disa mijëra euro. Përveç këtyre, Kosova importon sasi të mëdha edhe të qepës, lakrës, spinaqit, ashtu si edhe të kumbullave, mjedrave, dardhave e të tjera.
Mesatarisht në vit, ajo importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh duke filluar nga produktet bazë deri tek ato ndërtimore - ndërsa eksporton nën vlerën e 1 miliard eurove më së shumti produkte të metalit dhe plastikës./ REL