Hovenier kërkon lirimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës

Hovenier kërkon lirimin e zëvendësdrejtorit të Policisë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, kërkoi që autoritetet serbe të lirojnë zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, i cili u ndalua një ditë më parë në pikëkalimin kufitar të Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë.

Pas takimit të rregullt me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Hovenier tha për mediat se me të parën e shtetit folën edhe për ngjarjet e 17 prillit, kur, sipas autoriteteve në Kosovë, Serbia ndaloi mbi 1.400 kosovarë, teksa po kalonin transit nëpër Serbi.

Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë. Autoritetet thanë se nëntë zyrtarë policorë janë liruar, ndërkaq ndaj Jankoviqit, Serbia ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh nën akuzën për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.

“Ne jemi të shqetësuar sepse atë e njohim tash e disa vjet për investimin e kohës dhe energjisë për komunitetin serb dhe policinë, duke ndihmuar dhe siguruar integrimin e suksesshëm të forcës policore që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht etnisë së tyre.

Ai ka pasur rol të rëndësishëm në sigurimin e ndjeshmërisë që lidhet me komunitetin serb dhe që adresohen nga Policia e Kosovës”, tha Hovenier.

“Për shembull, ai ka luajtur rol edhe në mbikëqyrjen e njësisë që ofron mbrojtje për monumentet e trashëgimisë kulturore, përfshirë edhe manastiret ortodokse serbe, në një mënyrë të fuqishme, kuptimplote dhe efektive.

Ne jemi shumë të shqetësuar dhe shpresojmë që ai të lirohet”, shtoi diplomati amerikan.

Thirrje për lirimin e Jankoviqit dhe ulje të tensioneve bëri edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, duke e cilësuar të “papranueshëm” ndalimin e zyrtarit policor.

Kosova ka akuzuar Serbinë se me veprimet e fundit ka kryer shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe ka shkelur marrëveshjet e arritura në dialog, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Edhe blloku evropian një ditë më parë tha se Serbia, me ndalimin e udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova, në kufijtë e saj me Hungarinë dhe Kroacinë, ka shkelur Marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Hovenier tha se SHBA-ja pajtohet me vlerësimin e BE-së për këtë çështje, duke shtuar se Uashingtoni, si mbështetës i procesit të dialogut, pret që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel të respektohen dhe zbatohen.

Kosova ka thënë se ndalimi dhe "maltretimi" i shtetasve të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi, u bë "në shenjë hakmarrjeje" pasi më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Serbia ka thënë se do të punojë që Kosova të mos pranohet në këtë organizatë gjatë mbledhjes së Këshillit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj./REL

EMISIONET