Haga refuzon lirimin e Thaçit / Ish-presidenti do të hetohet në paraburgim

Haga refuzon lirimin e Thaçit / Ish-presidenti do të hetohet në

Gjykata Speciale e Hagës ka refuzuar kërkesën e avokatëve për lirimin nga paraburgimi të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit. Gjyqtari francez i hetimeve paraprake ka rrëzuar kërkesën duke mos marrë për bazë garancinë e ofruar nga dy shtete për lirimin nga paraburgimi të ish-presidentit.

Në vendimin e tij të specifikuar, gjyqtari i Hagës ka urdhëruar mbrojtjen e Thaçit që parashtresat në lidhje me rishikimin tjetër të paraburgimit t’i dërgojë deri më 31 gusht. Nga ana tjetër avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe, ka dërguar në Gjykatë konkluzionet e tij për lirimin nga paraburgimi të ish-presidentit. Avokati përveç argumenteve kundër dosjes së prokurorisë, jep detaje edhe për garancitë e ofruara për lirimin nga paraburgimi të Thaçit.

Mediet në Prishtinë njoftojnë se më 5 maj 2021, avokatët e Hashim Thaçit morën garancinë me shkrim nga qeveria për lirimin e përkohshëm të Thaçit në territorin e saj, ndërsa thuhet se garanci tjetër me shkrim nga një shtet tjetër që nuk emërtohet u mor më 14 qershor 2021.

Avokati Tauland Hodaj ka thënë se dy shtetet që mund të kenë garantuar për lirimin e Thaçit, janë Shqipëria dhe Turqia.

“Në këto parashtresa ka dy fakte interesante, të dyja janë shtete anëtare të NATO-s, ndërkaq për njërin nga shtetet thotë se është shtet kontribuues në Gjykatën Speciale, që nënkuptohet se janë këto pesë vende, se përveç BE-së, shtete kontribuuese në Gjykatën Speciale janë: Kanada, Norvegjia, Zvicra, Turqia dhe SHBA-ja, ku njëri nga to ka dhënë garanci për lirimin e z.Thaçi, ndërkaq vendi tjetër, që mund të jetë e që besoj fuqishëm është Shqipëria”, ka thënë Hodaj për mediet në Kosovë.

Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga detyra e presidentit vitin e kaluar dhe që nga nëntori 2020 ndodhet në paraburgimin e Hagës për shkak të akuzave të ngritura ndaj tij nga gjykata speciale.

 

EMISIONET