Gjukanoviç krah Osmanit kundër Ballkanit të Hapur: “Në vend të iniciativave të reja, të shfrytëzojmë procesin e Berlinit”
Vizita në Prishtinë e presidentit malazez Millo Gjukanoviç shenjoi akte të mjaftueshme politike pozitive, nëse marrim parasysh që ishte vetëm vizita e tij e parë në Kosovë.
Krah presidentes, Vjosa Osmani, Gjukanoviç rikonfirmoi se Mali i Zi nuk do të vrapojë drejt nismës serbe Ballkani i Hapur, të cilën po ashtu e kundërshton edhe Kosova.
Millo Gjukanoviç: "Jemi shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht bashkëpunimin ekonomik rajonal. Megjithatë, kjo çështje parimore nuk do të thotë që të mbyllim sytë dhe të mos dimë si t’i lexojmë gjërat në mënyrën e duhur. Mendoj se kemi një iniciativë të fortë të mirë të Procesit të Berlinit dhe disa të tjera në këtë temë, dhe siç e dini shumë vende të rajonit po marrin pjesë në këtë iniciativë dhe ne mendojmë se kjo nismë është plotësisht plotësuese e rrugës sonë drejt anëtarësimit në BE."
Pas ardhjes së shqiptaro-malazezit Dritan Abazoviç në krye të qeverisë malazeze, u shfaqën dyshime se ai do të kishte një qasje më të butë ndaj nismës ekonomike rajonale të themeluar në Novi Sad të Serbisë.
Nismën serbe tashmë e ka mbështetur vetëm Maqedonia e Veriut dhe vendi ynë, ndërsa tre shtetet nuk kanë mundur të bindin Prishtinën, Podgoricën dhe Sarajevën.
Osmani, ndërsa e vlerësoi presidentin Gjukanoviç për kontributin e tij në pavarësinë e Kosovës, e tashmë që Prishtina është pjekur politikisht edhe për përkrahjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, vuri në dukje hipokrizinë e Serbisë, që nga njëra anë e fton Prishtinën të bëhet pjesë e Open Balkan dhe nga ana tjetër bëhet pengesë për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.
Të dy liderët u ndalën te agresioni rus në Ukrainë dhe te zgjatimet dhe implikimet që ai mund të shfaqë në Ballkanin Perëndimor, të cilat zonja Osmani i quajti satelitët e Moskës, duke iu referuar kështu Beogradit.