​Gallieni: KFOR do të jetë prezent në veri derisa të ketë tensione

​Gallieni: KFOR do të jetë prezent në veri derisa të

Zëdhënësi i Shtabit të KFOR-it, kolonel Andrea Gallieni, deklaruar se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e situatës në veri të vendit. Ai ka thënë se KFOR-i nuk do të marrë kontrollin e veriut por ka theksuar se derisa të ketë tensione, trupat paqeruajtëse do jenë të pranishëm dhe të gatshëm të reagojnë.

Në një konferencë për media, kolonel Gallieni ka folur për situatën në veri të vendit që prej 29 majit kur protestuesit shfaqën dhunë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, duke i lënë të lënduar 30 prej tyre.

 “KFOR-i ishte aty për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejmë të protestës dhe më 29 në komunën e Zveçanit ndodhi një protestë e madhe dhe në përpjekje për të ndërhyrë mes palëve ushtarët e KFOR-it u përfshinë në një protestë të dhunshme. Gjatë protestës, shumë ushtarë të KFOR-it u plagosën nga gurë, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë. Ishte e qartë se atje njerëzit po përpiqeshin të protestonin në mënyrë paqësore, por ishte gjithashtu e qartë se pas tyre fshiheshin disa grupe kriminale që përpiqeshin të sulmonin trupat e KFOR-it”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se është shumë e rëndësishme të merren parasysh pasojat dhe rreziqet që mund të vinë nga veprimet e palëve. Gallieni është pyetur nëse KFOR do të marrë kontrollin e veriut, gjë të cilën ai e ka mohuar.

“Jo. Nuk është në vullnetin e KFOR-it. KFOR-i e ka rritur praninë në veri për shkak të kësaj proteste, për shkak të kësaj krize, por nuk është objektiv që të jetë prezent në veri të Kosovës, më shumë se që është e nevojshme. KFOR-i është një organizatë ushtarake dhe mund të dislokohet sipas nevojës në terren për të siguruar një mjedis të sigurt. Pra, në këtë moment KFOR-i ka rritur praninë e tij, por kjo varet vetëm nga siguria e situatës dhe situata e paqëndrueshme që mund të përshkallëzohet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk ka afat sa i përket periudhës së qëndrimit të KFOR-it në veri, por ka theksuar se do të jenë të pranishëm derisa të ketë tension.

 “Nuk ka afat (deri kur do të jenë prezente trupat e KFOR-it), sepse KFOR-i nuk po vepron në bazë të një plani, por po vepron duke marrë parasysh gjendjen e sigurisë dhe se si po evoluon kriza në rrugë. Pra, derisa të ketë një situatë tensioni e cila mund të përshkallëzohet në çdo moment në një nivel më të lartë të dhunës, KFOR-i do të jetë i pranishëm. KFOR-i nuk është për të mbrojtur njërën apo tjetrën palë, por është aty për të shmangur diçka shumë të rrezikshme”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i KFOR-it ka thënë se dialogu duhet parë si zgjidhja e vetme për situatën e krijuar.

EMISIONET