"Gabim i madh trajtimi neutral, Serbia është agresori" Vjosa Osmani reagon ndaj BE-së: Presim sinjale të qarta
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Kosova pret nga BE të jetë më e zëshme karshi Serbisë e cila e nxitur nga Rusia po përdor retorikë luftënxitëse në raport me Kosovën por dhe veprime që po cënojnë paqen dhe stabilitetin e Kosovës.
Reagimi u bë nga Presidentja Osmani mesditën e sotme krah presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.
Presim që BE të jetë më i zëshëm karshi tendencave destabilizuese të Serbisë ndaj të gjithë rajonit. Tendeca të nxitura dhe I shërbejnë interesave të Rusisë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë ekuivalencë të trajtimit të palëve kur qartazi Serbia është agresori dhe ajo po përdor retorikë luftënxitëse në raport me Kosovën por dhe veprime që po cënojnë paqen dhe stabilitetin e Kosovës.
Presim sinjale të qarta nga BE të japë në raport me Serbinë që një herë e përgjithmonë të ndalojë veprimet që cënojnë sigurinë në rajon.
"Eshte gabim i madh ekuivalentimi i trajtimit te paleve" tha Osmani ne nje deklarate per gazetaret.
Të dielën, BE-ja shprehu shqetësimin për deklaratat ku përmendet lufta dhe konflikti dhe dënoi retorikën nxitëse të liderëve politikë në Kosovë dhe Serbi.
Ndërkohë më 18 gusht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të takohen në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku.
Ky do të jetë takimi i parë midis Kurtit dhe Vuçiçit pas më shumë se një vit. Liderët u takuan vitin e kaluar dy herë, por asnjëri takim nuk solli ndonjë rezultat konkret.