Edi Rama në Kosovë, kryeministri vizitë te familja e ish-presidentit Hashim Thaçi

Kryeministri Edi Rama nuk do të presë të hënën për të vizituar Kosovën në kuadër të mbledhjes së përbashkët me qeverinë “Kurti”, por ai së bashku me disa prej ministrave të tij do të mbërrijë të dielën, ku stacioni i parë mësohet se do jetë një vizitë në familjen e ish-Presidentit Hashim Thaçi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij, pritet te vizitojë këtë të dielë familjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Po ashtu, Rama do t’i vizitojë dy nga fabrikat e korporatës “Devolli”, eksportuesit më të madh kosovar.

Mësohet se me delegacionin ku bëjnë pjesë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, Mirela Kumbaro e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe Elisa Spiropali, ministre për marrëdhëniet me parlamentin, Rama do të ndalet në orën 17:00 në Xërxë në fabrikën e miellit, “M&Sillosi” ku do të bisedojë me rreth 500 fermerë, ndërsa në 17:45, do ta vizitojë fabrikën e dyshekëve, “Comodita” në Gjakovë.

Kjo është hera e dytë që Rama vizion sektorë të korporatës. Hera e parë ishte më vitin 2014.

Pasi t’i kenë përfunduar këto vizita të dielën, ministrat e Ramës do të shkojnë në Prishtinë, ndërsa ai vetë do të shkojë në Burojë, te familja e ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilin e vizitoi ditë më parë edhe në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Një ditë më pas, të hënën, në Prishtinë mbahet takimi i radhës i qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.

Pavarësisht se debatet janë se kemi mbi 100 marrëveshje mes dy shteteve dhe pak të implementuara, sërish, edhe në këtë mbledhje të tetë që do të drejtohet nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pritet të kemi marrëveshje të tjera dypalëshe.

EMISIONET