DY DITË PARA ZGJEDHJEVE PËRÇAHEN SERBËT/ Lista Serbe e Jabllanoviçit sulmon kundërshtarët politikë në Kosovë
Një anëtar i Listës Serbe ka sulmuar kandidatët dhe anëtarët e Partisë së Serbëve të Kosovës, të cilës i prinë Aleksandar Jabllanoviç. Nga kjo parti kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur sot (e mërkurë) në Gracanicë, gjatë një takimi elektoral me qytetarë.
Sipas këtij njoftimi, sulmi erdhi nga Marko Arsiç, aktualisht drejtor në Komunën e Graçanicës dhe njëkohësisht pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga Lista Serbe.
“Në Graçanicë në shtabin e Partisë së Serbëve të Kosovës janë sulmuar kandidatët dhe aktivistët e partisë sonë.
Derisa ishin duke qëndruar të qetë në tribunë dhe duke biseduar me qytetarët, kandidati për Listën Serbe me numrin 29, Marko Arsiq (drejtor i Komunës së Graçanicës), sulmoi tribunën, duke grisur fletushka dhe duke thyer stilolapsa pa asnjë provokim, duke sharë partinë dhe anëtarët tanë”, thuhet në njoftim.
Behet e ditur se rasti është denoncuar në Polici.
“Morëm garanci se kriminelët do të trajtoheshin sipas ligjit. Banditi i Listës Serbe iku si zakonisht, por jemi të sigurt se ligji dhe drejtësia së shpejti do të veprojnë”, thuhet në njoftimin e partisë së Jabllanoviçit.
“Kërkojmë nga zyrtarët e Listës Serbe që ‘qentë e tërbuar’ t’i mbajnë në zinxhir më të shkurtër sepse ‘lehin’ shumë”, thuhet po aty.
Lidhur me këtë rast, KosovaPress i është drejtuar Policisë së Kosovës porse ende nuk ka marrë përgjigje.
Ndërkaq, para disa ditësh, në një konferencë të Institutit Octopus është thënë se Serbia përmes luftës hibride po ndërhyn në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, përkatësisht se Serbia po e përdor Listën Serbe për destabilizimin e vendit tonë. /KosovaPress/