Dodiku po kërkon ndarje të Bosnjës! Amerika kundër “botës serbe”: Deklarata, sulm i rrezikshëm

Dodiku po kërkon ndarje të Bosnjës! Amerika kundër

Shtetet e Bashkuara reagojnë kundër deklaratës së miratuar nga e ashtuquajtura “Botë Serbe”. Ambasada amerikane në Sarajevë thotë se konkluzionet e parlamentit mbarëserb lidhur me Marrëveshjen për Paqe të Dejtonit dhe shtetin e pavarur të Bosnjë dhe Hercegovinës bazohen në dezinformata dhe gabime.

“Përfundimet nuk përbëjnë mbrojtje të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, siç pretendojnë autorët, por janë një sulm i qëllimshëm ndaj asaj marrëveshjeje dhe institucioneve shtetërore të Bosnjë-Hercegovinës. Kjo është e rrezikshme”, thuhet në reagim.

Ambasada amerikane shton se deklaratat publike të bëra nga presidenti i Republika Srpska, Millorad Dodik dhe zyrtarë të tjerë lidhur me planet për shkëputje, paraqesin një sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe karakterit multietnik të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Në deklaratën e selisë diplomatike të SHBA-së, thuhet qartë se Republika Srpska nuk është një shtet dhe mund të ekzistojë vetëm brenda Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Nuk ka asnjë të drejtë ligjore jashtë saj”, lexohet në reagimin e ambasadës. Deklarata amerikane mbyllet me paralajmërimin se planet dhe veprimet e Dodikut vendosin në rrezik të ardhmen paqësore dhe demokratike, brenda institucioneve euroatlantike, gjë të cilën e dëshiron populli i Bosnjë-Hercegovinës.

EMISIONET