Dialogu Prishtinë-Beograd, G7 thirrje për angazhim konstruktiv, kontribuon në stabilitetin rajonal

Dialogu Prishtinë-Beograd, G7 thirrje për angazhim konstruktiv,

Vendet anëtare të G7-ës, pas takimit treditor në Gjermani, në deklaratën e tyre të përbashkët, krahas Ukrainës, kanë cekur edhe situatën në Ballkan. Sipas tyre, për ta stabilizuar sa më parë situatën në Ballkan, Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialog.

Situata në Ballkanin perëndimor ka marrë vëmendjen e vendeve anëtare të G7-ës gjatë takimit të tyre në Gjermani.

Ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara në botë i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve.

“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, të zbatojnë plotësisht dhe pa vonesa të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën, dhe të normalizojnë raportet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, që do t’u lejonte të realizonin perspektivat e tyre respektive evropiane, që do të kontribuonte në stabilitetin rajonal dhe të ishte në dobi të të gjithë qytetarëve të rajonit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Më herët kanë qenë amerikanët dhe gjermanët që kanë folur për Dialogun. Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit ka shtyrë që në fillim të administratës Biden për një marrëveshje me qendër njohjen.

Të njëjtën gjë ka përsëritur edhe kancelari Scholz gjatë takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011-ën dhe sipas shumë analistëve është i tejzgjatur. Kosova kërkon që procesi të përfshijë njohjen reciproke.

Sa i përket Serbisë, G7 ka vënë në pah lidhjet me Rusinë dhe i ka bërë thirrje që të ndjek shembullin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

EMISIONET