Bosi më i madh i kokainës në Ballkan prej muajsh në arrati, Amerika e ka vënë nën sanksione!
Edin Gaçanin i njohur ndryshe si Tito, bosi më i madh i drogës në Ballkan , i cili ka nënshtetësi holandeze, u vendos me 15 mars nën sanksionet e Thesarit të SHBA. Tito, i cili konsiderohet nga Europol si një nga krerët e një "superkarteli" që kontrollon një të tretën e trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, është në arrati dhe nuk dihet vendndodhja e tij.
Edin Gaçanin, me origjinë nga Sarajeva, është lider i kartelit Tito dhe Dino, të cilit i përkasin edhe anëtarët e familjes dhe miqtë e tij nga Bosnja dhe Hercegovina, thuhet në njoftimin e Thesarit amerikan për vendosjen e sanksioneve.
Përveç trafikut të drogës, karteli merret edhe me pastrim parash dhe bashkëpunon ngushtë me grupin famëkeq të krimit irlandez të udhëhequr nga Daniel Kinahan.
Gaçanin u vu nën sanksione sepse ai investon para në kontrabandën e drogës, njoftoi Thesari.
Ky vendim thuhet se është marrë nga Thesari në koordinim me Administratën Amerikane të Zbatimit të Drogës–DEA, Europol dhe qeveritë e Holandës, Francës dhe Belgjikës. Nuk dihet se ku ndodhet aktualisht Gaçanin.
Ai u zhduk pasi u lirua në janar për arsye të paqarta nga paraburgimi në Dubai, ku u mbajt pas arrestimit të tij në operacionin ndërkombëtar në shkallë të gjerë "Drita e Shkretëtirës".
Edhe pse ai dyshohet se drejton një "superkartel" i cili, sipas Europol, kontrollon një të tretën e shitjeve të kokainës në Evropë, Gačanin doli i lirë pas dy muajsh në paraburgim dhe u zhduk pa lënë gjurmë.
Nuk është e qartë se si ndodhi. Mediat pretendojnë se Holanda, nënshtetas i së cilës është Gaçanin, nuk dërgoi në kohë një kërkesë për ekstradimin e tij në Emiratet, por prokuroria holandeze e mohoi këtë duke thënë se kërkesa e tyre për ekstradim u refuzua.
“Superkarteli” përbëhet nga grupe kriminale nga Ballkani, nga Irlanda, Italia dhe Maroku dhe Gaçanin drejton klanin ballkanik. Ai kryesisht blinte drogë nga bosët e drogës në Peru dhe i kontrabandonte në Evropë.
Gaçanin dhe karteli i tij Tito dhe Dino u bënë një nga lojtarët më të fortë në tregtinë e drogës në Peru, pasi u humb ndikimi i një prej grupeve kriminale më të fuqishme në atë kohë, "Grupi i Amerikës".
Kjo ndodhi pas arrestimit të Zoran Jakshiç, në vitin 2016.